
Milan eleminohet nga Champions League
AC Milan ka pësuar një eliminim të papritur nga Champions League, pas humbjes me rezultat të përgjithshëm 2-1 ndaj Feyenoord. Skuadra holandeze udhëtoi drejt Italisë me një avantazh minimal prej 1-0 nga ndeshja e parë, megjithëse ishte pa disa lojtarë kyç të formacionit titullar dhe me një trajner të përkohshëm në pankinë.
Për AC Milan, ndeshja nisi në mënyrën më të mirë kur Santiago Gimenez shënoi kundër ish-skuadrës së tij pas vetëm një minute lojë, duke hyrë në histori si lojtari i parë që shënon për dhe kundër të njëjtës skuadër brenda të njëjtit sezon të Champions League.
Por entuziazmi i Milanit u shua shpejt, pasi Theo Hernández u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim në minutën e 51-të, duke e lënë skuadrën me një lojtar më pak. Feyenoord shfrytëzoi avantazhin numerik, duke barazuar rezultatin me golin e Julian Carranza-s në minutën e 73-të, duke vulosur kualifikimin e skuadrës holandeze në fazën e 1/16-ave të turneut.
Ky eliminim është një goditje e madhe për AC Milan, që ishte favorit për të kaluar më tej, veçanërisht kundër një Feyenoordi të reduktuar nga mungesat. Gjatë merkatos së janarit, Milani kishte bërë disa afrime të rëndësishme, si Kyle Walker, Joao Felix dhe vetë Santiago Gimenez.
Me një vlerë totale prej 570 milionë eurosh, AC Milan u bë skuadra më e kushtueshme që eliminohet nga Champions League këtë sezon, duke kaluar edhe RB Leipzig, që kishte një vlerë prej 527 milionë eurosh. Ky dështim do të ketë pasoja të rënda për kuqezinjtë, të cilët tani do të duhet të fokusohen në kompeticionet e tjera për të shpëtuar sezonin e tyre.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Burimi