
SHBA/ CDC synon të kryejë një studim për të hetuar lidhjen midis vaksinave dhe autizmit
Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po planifikojnë një studim të madh për lidhjet e mundshme midis vaksinave dhe autizmit, pavarësisht nga kërkimet e gjera shkencore që kanë hedhur poshtë ose kanë dështuar të gjejnë prova të lidhjeve të tilla.
Është e paqartë nëse Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr, i cili ka promovuar prej kohësh pikëpamjet kundër vaksinës, është i përfshirë në studimin e planifikuar të CDC ose se si do të kryhet.
Vendimi i CDC vjen pas shpërthimit të fruthit në SHBA, ku janë identifikuar më shumë se 150 raste dhe dy vdekje në Teksas dhe New Mexico. Epidemia duket se është nxitur nga rënia e shkallës së vaksinimit në zonat e SHBA-së ku prindërit janë bindur se vaksinat u bëjnë më shumë dëm sesa mirë fëmijëve të tyre.
Kennedy, i cili mbikëqyr CDC, ka shprehur prej kohësh dyshime për sigurinë e vaksinës së fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR). Në një mbledhje të kabinetit javën e kaluar, Kennedy fillimisht minimizoi lajmin se një fëmijë në moshë shkollore kishte vdekur nga fruthi në Teksas – vdekja e parë e tillë në një dekadë – duke i quajtur shpërthime të tilla një dukuri të zakonshme dhe duke mos përmendur rolin e vaksinimit në parandalimin e fruthit.
Gjatë fundjavës, Kennedy publikoi një opinion në Fox Neës që promovonte rolin e vaksinimit, por gjithashtu u tha prindërve se vaksinimi ishte një zgjedhje personale dhe u kërkoi atyre të konsultoheshin me mjekun e tyre.
Diagnozat e autizmit janë rritur ndjeshëm në SHBA që nga viti 2000, gjë që po rrit shqetësimet e publikut. Shumë studiues ia atribuojnë këtë rritje faktit se ekzaminimet mjekësore tani janë më të përhapura, por edhe gama e sjelljeve të konsideruara si tregues të kësaj gjendjeje specifike është zgjeruar. Megjithatë, disa po përhapin idenë se vaksinat janë fajtore, duke përmendur një studim tashmë të kundërshtuar të viteve 1990 nga studiuesi britanik Andrew Wakefield. Ai studim e lidhi rritjen e rasteve të autizmit me përdorimin e vaksinës së trefishtë të fëmijërisë.
Burimi