
FOTO / Mbretëria e Bashkuar i dhuron Policisë Shqiptare pajisje me vlerë mbi 18,000 Euro
Mbretëria e Bashkuar i ka dhuruar Policisë Shqiptare pajisje imazherike të teknologjisë së lartë me vlerë mbi 18 000 Euro.
Marrëveshja për donacionin u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe nga përfaqësuesi i Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Departamentit të Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe, Stephen Law.
“Bashkëpunimi i ndërtuar mbi profesionalizëm dhe besim reciprok, do të ndikojë drejtpërdrejt në revanshin e ligjit në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti”, tha Proda.
Pajisjet e rezolucionit të lartë do t’i shërbejnë Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, për dedektimin e shpejtë të lëndëve narkotike, armëve dhe mallrave të cilat tentohen të futen/të dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke i fshehur në vende të përshtatura paraprakisht. Si rezultat i përdorimit të këtyre pajisjeve në këto raste të krimeve kufitare, do të sigurohen prova materiale të padëmtuara.
Ky donacion pasoi donacionin e datës 28 janar 2025, të partnerëve britanikë, të 4 dronëve termikë dhe 2 dedektorëve. Donacionet janë dëshmi konkrete e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve britanikë.
Burimi