
“Evropa në një moment vendimtar, si në 1940-ën”
Filozofi francez Pascal Bruckner flet për “koherencë” kur përshkruan politikën e Donald Trumpit. «Dëshiron të braktisë NATO-n, të vendosë tarifa dhe të pajtojë Amerikën me Rusinë: të gjitha gjëra që I kishte paralajmëruar», kujton intelektuali, sipas të cilit, në një kontekst të tillë, Evropa duhet të mësojë të zëvendësojë gradualisht Shtetet e Bashkuara në skenën ndërkombëtare.
Monsieur Bruckner, çfarë shihni në këtë situatë të re ndërkombëtare?
«Asgjë të mirë, përveçse për Vladimir Putinin dhe Xi Jinping. Trump është presidenti i ëndrrave të tyre, një dhuratë që vjen një herë në njëqind vjet. Kreu i Shtëpisë së Bardhë dëshiron të zbatojë agjendën e tij, në të cilën aleatët bëhen armiq dhe anasjelltas. Kjo është përmbysja trumpiste».
Por Pekini mbetet një rival tregtar për Uashingtonin.
«Po, ka tensione. Thuhet gjithmonë se Trumpi dëshiron të largojë Kinën nga Rusia, por po ndodh e kundërta. Për momentin, është Putini ai që po e ndan Evropën nga Trumpi. Është një lojë që presidenti rus po e fiton. Nuk shoh se si Kina dhe Rusia mund të distancohen: regjimet autokratike gjithmonë e admirojnë demokracinë perëndimore. Putini ka pushtuar Shtëpinë e Bardhë dhe Evropën dhe për Evropën, ky është lajm shumë i keq ».
A mendoni se manjati do ta çojë deri në fund?
«Është një lloj fëmije i moshuar, narcisist dhe i ndjeshëm. Nuk besoj se do të ndryshojë. Evropa mund të shpresojë në një krizë të rëndë ekonomike për Shtetet e Bashkuara, e cila pritet të vijë për shkak të inflacionit në rritje në të gjithë vendin».
Ndërkohë, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrë iniciativën. Si e shihni këtë marrëveshje midis Emmanuel Macron dhe Keir Starmer?
«Është një lidership i rastësishëm që vjen pas krizave që Parisi dhe Londra kanë pasur vitet e fundit, si ato që u shfaqën me Brexit. Jemi në një moment vendimtar, si në vitin 1940. Rusët nuk duan vërtet të sulmojnë Evropën, por i udhëheq një urrejtje e madhe. Për më tepër, Putini ka thënë qartë se dëshiron të hakmerret për rënien e murit, duke e konsideruar atë si humbjen më të madhe dhe katastrofën gjeostrategjike të shekullit të njëzetë. Dhe Trump do ta lejojë. Dhe nëse presidenti amerikan braktis OKB-në dhe NATO-n, martesa me leverdi mes Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të shndërrohet në një “bashkim dashurie”.
Në çfarë mënyre?
«Janë dy fuqitë më të rëndësishme evropiane të pajisura me armë bërthamore. Në të kaluarën, ato kanë firmosur marrëveshje ushtarake, siç ishte deklarata e Saint-Malo në vitin 1998. Pra, ekziston një situatë e favorshme, së cilës do t’i bashkohet edhe Gjermania me kancelarin e saj të ardhshëm Friedrich Merz, një konservator shumë më i vendosur krahasuar me Olaf Scholzin, i cili është mjaft i butë, dhe Polonia e kryeministrit Donald Tusk».
Po Italia?
«Giorgia Meloni është shumë inteligjente. Nëse në Francë do të ishte ajo në krye të Rassemblement National, do t’i fitonte zgjedhjet menjëherë, por fatkeqësisht kemi Marine Le Pen. Keir Starmer dhe Emmanuel Macron, megjithatë, e kanë vënë me shpatulla pas murit. Tani Meloni ndodhet mes dy zjarreve: nga njëra anë dashuria e saj për Trumpin dhe Muskun, nga ana tjetër pozicioni i saj gjeografik. Por nuk do të mbetet e izoluar në skenën evropiane si Viktor Orbán».
Në mes është Volodymyr Zelensky. Çfarë mendimi keni për përplasjen në Shtëpinë e Bardhë?
«Presidenti ukrainas u poshtërua nga i gjithë oborri i mbretit Trump. Është tronditëse të shohësh se si në Uashington është rikrijuar një lloj monarkie, me oborrtarë që duartrokasin dhe fyejnë sipas urdhërit. Zelensky mund të kishte reaguar ndryshe, më ashpër, por tani është shumë i dobët. Por fati kthehet dhe nuk jam i sigurt se arroganca e Trumpit do të zgjasë shumë».
Pse?
«Ky episod ka tronditur republikanët e moderuar, të cilët mbeten atlantistë. Marrëdhënia transatlantike ka shtatëdhjetë vjet dhe nuk mund të shkatërrohet nga një plak narcisist».
Si e shihni projektin e riarmatimit evropian?
«Përfaqëson një hap drejt së ardhmes, pasi në shtatëdhjetë vitet e fundit Evropa ka braktisur gradualisht arsenalin e saj ushtarak». / la stampa – bota.al
Burimi