Zhvatnin para gjatë numërimit në Exchange, arrestohet çifti kolumbian në Prishtinë
Një çift kolumbian në Prishtinë ka arritur të zhavsë shuma parash nëpër pikat e këmbimit valutor Exchange, duke bërë hile gjatë rinumërimit të parave. Por mashtrimi është zbuluar dhe të dy janë arrestuar nga policia e Kosovës, e cila njoftoi se:
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë sot ka arrestuar dy persona të dyshuar për disa raste të mashtrimit si dhe kanë sekuestruar një sasi të parave, dyshohet të përfituara duke kryer vepra mashtrimi.Personat e dyshuar janë një mashkull 47 vjeç, shtetas i Kolumbisë dhe një femër 28 vjeçe, shtetase e Kolumbisë dhe me vendim të prokurorit, janë dërguar në qendrën e paraburgimit për 48 orë.
Personat e arrestuar dyshohet të kenë marrë nga ankuesit, punëtorë të këmbimoreve, shuma të ndryshme parash duke i mashtruar gjatë rinumërimit dhe kanë fshehur një shumë parash kur kanë qenë duke i konvetruar.
Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi edhe jashtë rajonit të Prishtinës si dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar.
Ndaj, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar.”
Burimi