Vritet një biznesmen në Shkup, autorët përplasen me armë me Policinë

Vritet një biznesmen në Shkup, autorët përplasen me armë me Policinë

Një biznesmen është vrarë mëngjesin e kësaj të marte në parkimin e në një qendër tregtare në Shkup.
Viktimë ka mbetur biznesmeni Vasil Eftimov, menaxher i firmës Mitel Mont, për shitje me shumicë të materialeve për ujësjellës e kanalizime.
Mediat vendase raportojnë se viktima ishte me automjetin e punës, teksa autori fillimisht i ka hapur bagazhin, duke marrë një pako, (dyshohet një laptop) dhe më pas ka qëlluar mbi shënjestrën duke e lënë të shtrirë në tokë dhe të mbuluar në gjak.
Në momentin e atentatit, biznesmeni ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij e cila ka parë të gjithë skenën e krimit.
Policia në Maqedoninë e Veriut vendosi bllokada dhe kontroll të rrugëve në ndjekje të automjetit të vrasësve, përfshi edhe një Audi të zi, paraprakisht i paraqitur pa targa dhe ndërkohë, një helikopter dhe dron nisi krehjen nga sipër të rrugës dhe ndjekjen e automjeteve.
Autorët janë ndaluar pas një përplasjeje me armë me policinë, e cila u ka bërë thirrje të ndalonin automjetin, me të cilin lëviznin në komunën e Çairit, duke tentuar t’i largohen kapjes nga ana e bluve.
 
Në vendin ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit në tokë ishte edhe pistoleta me të cilën pretendohet se vrasësit kanë kryer veprën penale.
 
Dy persona u vunë në pranga, sipas njoftimit zyrtar të policisë, dhe sipas informatave një person tjetër është ende në arrati.
 
“Policia ka marrë menjëherë masat operativo-taktike, duke mbyllur një pjesë të zonës së qytetit, duke kontrolluar disa banesa dhe kontrolluar disa automjete, ku përfshiheshin forca speciale të policisë, helikopterë dhe dronë. Në zonën e komunës së Çairit, është vërejtur një veturë e udhëtarëve, e cila ka tentuar të largohet, ndërsa personat nga automjeti kanë bërë rezistencë me përdorimin e armëve të zjarrit. Punonjësit e policisë janë kundërpërgjigjur, pas së cilës një person është privuar nga liria. Gjatë masave të mëtejshme është privuar nga liria edhe një person, ndërsa policia e di edhe identitetin e të dyshuarit të tretë i cili ndodhet në arrati dhe për të cilin po merren masa për gjetjen e tij”, thuhet në raportin e Policisë së Maqedonisë së Veriut.
 
Burimi