
Varfëria të lë të paditur, raporti: 82% e nxënësve në disavantazh ekonomik të dobët
Niveli ekonomik i të rinjve prodhon arritje të ulëta mësimore sidomos në matematikë vëren Fondacioni Europian i Trajnimeve në publikimin e fundit “Trajnimet, arsimi, aftësitë dhe punësimi: Tendencat dhe zhvillimet 2024”. Në vitin 2022, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) përpunoi dhe publikoi disa tregues të testit ndërkombëtar të njohurive të 15-vjeçarëve (PISA).
Të dhënat treguan se nxënësit në 20 përqindëshin e fundit të popullsisë me të ardhura të ulëta kishin rezultate të dobëta në matematikë. Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm në Shqipëri 82% e nxënësve që vinin nga familje me të ardhura të ulëta kishin rezultate shumë të dobëta në matematikë.
Shqipëria kishte përqindjen më të lartë në Europë dhe Rajon të nxënësve të varfër që patën rezultatet më të ulëta në test. ETF në dukje se për Shqipërinë, ky tregues mund të shërbejë si një masë e vlefshme për të vlerësuar numrin e të rinjve vulnerabël dhe kërkesën e tyre potenciale për arsim.
Të dhënat tregojnë se jo të gjithë nxënësit në nevojë socio-ekonomike kanë vështirësi në arritjet mësimore, disa performojnë mirë pavarësisht rrethanave të tyre. Duke marrë parasysh si rezultatet e të nxënit ashtu edhe statusin socio-ekonomik, ky indikator identifikon nxënësit që përballen me barriera të shumëfishta ndaj arsimit dhe mundësive.
ETF vlerëson se identifikimi e këtij disavantazhi të dyfishtë ofron të dhëna për rritjen e mbështetjes për arsimin e të rinjve në nevojë.
Pothuajse në të gjitha vendet jo anëtare të BE më shumë se gjysma e nxënësve (që vijnë nga 20% e popullsisë me të ardhurave të ulëta) në shkolla janë në disavantazh arsimor dhe ekonomik, por në Shqipëri kjo është me lartë (82).
Në disa vende partnere të ETF si Palestina, Jordania, Kosova, Maroku dhe Uzbekistani, pothuajse të gjithë nxënësit e varfër janë në këtë kategori. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Moldavia dhe Mali i Zi gjithashtu kanë përqindje të larta të nxënësve të pa-favorizuar.
Në të kundërt, vende si Turqia, Izraeli, Kazakistani dhe Serbia kanë përqindje më të ulëta të nxënësve (në 20% më të ulët te të ardhurave) që kanë vështirësi akademike. Të dhënat tregojnë qartë se ka nevoja të mëdha për të ofruar arsim më të mirë për nxënësit vulnerabil.
Masat për përmirësimin e cilësisë së arritjeve mund të përfshijnë programe ri-shkollimi, ndihma financiare me fokus fëmijët e varfër, për të siguruar që nxënësit e pa-favorizuar të mund të kapërcejnë barrierat me të cilat përballen.
ETF rekomandon se Shqipëria bashkë vendet e tjera duhet të adresojnë njëkohësisht si faktorët akademikë ashtu edhe ata socio-ekonomikë për të pasur një ndikim të qëndrueshëm në rezultatet arsimore.
/Monitor/
Burimi