U godit disa herë me thikë në sherrin ku u vra Martin Cani, del nga spitali Luis Meçja

U godit disa herë me thikë në sherrin ku u vra Martin Cani, del nga spitali Luis Meçja

11 ditë pas ngjarjes së rëndë te shkolla “Fan Noli” ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, ka dalë nga spitali shoku i viktimës, Luis Meçja, i cili u plagos në përballje me autorin.
Dy 14-vjeçarët u goditën me thikë nga një moshatar i tyre, Mario Prelleshaj, i cili tashmë është arrestuar nga policia dhe ndodhet në institucionin për të mitur në Kavajë.
Kujtojmë se lidhur me ngjarjen, i plagosuri prendendon se ka dy autorë, por Policia e mohon një gjë të tillë. Përmes një komunikate zyrtare, Policia sqaroi se nga hetimet dhe provat e administruara, përfshirë pamjet filmike, rezulton se autor është vetëm një.
Sipas mjekëve, adoleshenti iu nënshtrua ndërhyrjeve të nevojshme mjekësore menjëherë pas ngjarjes, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. “Gjendja e tij tashmë është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për jetën. Pacienti do të vijojë rikuperimin në shtëpi, duke ndjekur këshillat dhe rekomandimet tona,” deklaroi ekipi mjekësor që ndoqi rastin.
Ngjarja e rëndë në shkollën “Fan Noli” ka nxitur diskutime të gjera mbi sigurinë në ambientet shkollore dhe masat që duhen marrë për të parandaluar incidente të tilla. Ministria e Arsimit dhe institucionet e tjera përkatëse janë zotuar për ndërhyrje të menjëhershme për të përmirësuar kushtet e sigurisë dhe për të forcuar masat parandaluese ndaj dhunës në shkolla.
Familja e të miturit ka shprehur falënderime për stafin mjekësor dhe për të gjithë ata që ofruan mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe për të marrë masat e nevojshme.
 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente