Trafiku i armëve drejt Britanisë, arrestohet në Bogota i riu shqiptar
Policia e Shtetit njoftoi se është arrestuar në Kolumbi një 25-vjeçar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet në vendin tonë pasi në prill të këtij viti, tentoi të trafikonte nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe, 7 pistoleta dhe municion luftarak.
Në pranga u vu Admir Tutaj.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Bogota, Kolumbi, u mundësua kapja dhe arrestimi në Kolumbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit A.T., 25 vjeç, i lindur në Tropojë”, tha policia.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 30.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Më datë 10.04.2023, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në portin e Durrësit, një arsenal armësh të fshehur në një furgon (7 pistoleta, një sasi të madhe municioni luftarak dhe aksesorë për armë), që dyshohet se do të trafikohej në Britani të Madhe, nga grupi kriminal ku bënte pjesë Tutaj.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Bogotën, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri, thotë policia.
Burimi