Trafikonin emigrantë nga vendet e treta, dënohen me burg 4 anëtarët e një bande të huajsh

Trafikonin emigrantë nga vendet e treta, dënohen me burg 4 anëtarët e një bande të huajsh

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli sot, 6 mars 2025, fajtorë dhe ka dënuar me 36 vite burgim anëtarët e një grupi të trafikut të emigrantëve nga vendet e treta, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.
Ky vendim vjen pas një hetimi të gjatë nga Prokuroria e Posaçme, që kishte mbyllur çështjen dhe e kishte dërguar për gjykim prej më shumë se një viti. GJKKO, pas dëgjimit të palëve, ka vendosur dënimin e katër të pandehurve: Yahia Yussef (alias Kamal Kamil), Soran Saber, Yalcin Ali Hanca dhe Mustafa Cosekoglu.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Ardit Mustafaj dhe Bib Ndreca shpalli dënimet përkatëse për këta të pandehur. Yalcin Ali Hanci dhe Mustafa Cosekoglu u dënuan me 6 vite burgim secili për dy akuzat që rëndonin mbi ta, ndërsa Soran Saber, kreu i grupit, u dënua me 12 vite burgim, pasi iu bashkuan dënimet për veprat penale, 8 vite për një akuzë dhe 5 për një tjetër. Yahia Yussef (alias Kamal Kamil) gjithashtu u dënua me 12 vite burgim për rolin e tij kryesor në grupin kriminal.
Akuza ndaj këtyre shtetasve turq ka qenë ajo e “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, duke vepruar në bashkëpunim për realizimin e këtyre aktiviteteve. Hetimet kanë treguar se grupi ka kryer këto aktivitete në mënyrë të organizuar, duke përdorur mjete lundruese për të transportuar emigrantët, kryesisht nga Egjipti, Iraku dhe Siria, nëpërmjet detit drejt brigjeve të Adriatikut dhe më pas drejt vendeve të BE-së.
Sipas hetimeve të SPAK, ky trafikim i emigrantëve realizohej për një shumë prej 5,000 deri 10,000 euro për person. Ky aktivitet kriminal ka përfshirë një numër të madh emigrantësh që tentonin të kalonin ilegalisht nëpër kufijtë e Shqipërisë, përmes Italisë dhe Greqisë, si destinacione përfundimtare.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë që lidhen me aktivitetin kriminal, përfshirë një mjet lundrues tip velierë me flamur të shtetit turk, një tjetër mjet lundrues tip “skaf me dy motorra” i sekuestruar në Vlorë, aparate celulare të të pandehurve, një shumë parash dhe eurosh cash dhe sende të tjera të përdorura për trafikun e emigrantëve.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është se kjo dosje ka përfshirë shumë të pandehur, por 4 shtetas të huaj, të cilët ishin pjesë e grupit të strukturuar kriminal, janë ndarë dhe janë gjykuar në këtë proces. GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin e çështjes për gjykim, që u bë më 31 korrik 2024.
Këta 4 shtetas turq ishin pjesë e 25 personave të arrestuar që ishin të lidhur me një rrjet më të madh trafikimi të klandestinëve nga Shqipëria drejt Italisë dhe Greqisë. Ky proces gjyqësor përbën një hap të rëndësishëm në luftën kundër grupeve kriminale që traffikojnë emigrantë dhe shkelin ligjin ndërkombëtar për kalimin ilegal të kufijve.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente