Tjetër marrëveshje për pritje refugjatësh pas Italisë? Përgjigjet Rama

Tjetër marrëveshje për pritje refugjatësh pas Italisë? Përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka mohuar mundësinë e një marrëveshje për të sjellë refugjatë në Shqipëri me një tjetër shtet, pas asaj me Italinë.
“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar”, u shpreh kryeministri gjatë një interviste për Euronews.
Një qëndrim i tillë vjen disa ditë pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se homologu i saj britanik, Keir Starmer, kishte shprehur interes të madh për skemën, sipas së cilës Italia do të transferojë deri në 36,000 emigrantë në vit në dy qendra pritjeje në Shqipëri, ndërkohë që qeveria italiane përpunon kërkesat për azil.
“Kur vendosëm ta bënim marrëveshjen e migracionit, vendosëm bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si evropianë. Sigurisht që ne nuk jemi evropianë brenda BE-se, por ne jemi ende evropianë dhe kjo nuk mund të na mohohet. Kjo është diçka që ne e bëmë në vend që të mos bënim asgjë. Pra, a është e re apo nuk është e re, a është novatore apo nuk është novatore, do të funksionojë apo nuk do të funksionojë, kjo është e gjitha për t’u parë, por me siguri është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Edhe më herët, Rama ka premtuar publikisht se Shqipëria nuk do të marrë refugjatë. Megjithatë, ai shkeli premtimin më vonë duke nënshkruar marrëveshjen me Italinë. Qendra në Lezhe pritet të çelet së shpejti.
Burimi