Skandali te Onkologjiku, deputetja e PD-së: Çnjerëzore t’u mohosh pacientëve kurimin, por prangat duhet të kërcasin lart
Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, ka reaguar në lidhje me skandalin te Spitali Onkologjik, duke thënë se është çnjerëzore t’u mohosh pacientëve me sëmundje tumorale trajtimin me kimioterapi apo radioterapi.
Sipas deputetes, “e Onkologjikut, e shërbimeve të reduktuara, apo e mungesës së ilaçeve duhet kërkuar tek përgjegjësi kryesor, që është qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë”.
Gjergji, e cila është dhe kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, shprehet se krimet në shëndetësi kanë emër, dhe për të pasur drejtësi të vërtetë, prangat duhet të kërcasin lart, në krye të punëve.
Postimi i Zheni Gjergjit:
Çdo shkelje e etikës, çdo abuzim me bluzën e bardhë, me betimin e Hipokratit, është e dënueshme. Disa raste të zbuluara së fundmi, megjithatë nuk mund të njollosin gjithë mjekët e punën e tyre shpesh në kufinjtë e sakrificës njerëzore.
E vërteta e Onkologjikut, e shërbimeve të reduktuara, apo e mungesës së ilaçeve duhet kërkuar tek përgjegjësi kryesor, që është qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.
Përpara se media të hidhte dritë e prokuroria të vepronte, Rama dhe Manastirliu e dinin mirë gjendjen, por nuk ndërmorën asnjë veprim.
Raporti i KLSH i vitit 2022 për Sëmundjet Tumorale ishte një ulërimë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryeministrin Rama, por ata nuk kishin kohë ta shihnin realitetin e tmerrshëm me të cilin pacientët përballen çdo ditë në Spitalin Onkologjik.
E kam ngritur këtë problem disa herë në Komisionin e Shëndetësisë e në Parlament, po kolegët e mi të mazhorancës nuk kishin dëshirë të dëgjonin, ata ishin të fokusuar tek propaganda e Manastirliut dhe Ramës për “shëndetësi falas” dhe i shërbyen asaj me sy e vëshë mbyllur!
Eshtë më shumë se kriminale t’u mohosh pacientëve me sëmundje tumorale trajtimin me kimioterapi apo radioterapi. Eshtë çnjerëzore.
Brakiterapia dhe Ortovoltazhi nuk kanë punuar për një kohë të gjatë në vitin 2022 duke i hequr të drejtën e jetës rreth 600 grave.
Por Edi Rama dhe Ogerta Manastirliu e dinin, dhe nuk sollën asnjë përmirësim. Këto janë çështje që nuk i zgjidh dot një mjek, apo një shef pavioni. Kërkojnë vullnet politik dhe buxhetet përkatëse.
Raporti i KLSH thotë se megjithëse rastet me tumor po shtohen shumë, fondet ngelen të njëjta.
Kjo do të thotë t’i lësh njerëzit në dorë të zotit, e pastaj kush ka mundësi të provojë darën e rëndë të privatit.
Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqa i gjenin lekët që duheshin për koncesionet, ndërsa nuk shtuan buxhetin për medikamente dhe paisje tek Onkologjiku.
Ndaj janë sot ata të parët që duhet të mbajnë përgjegjësi.
Krimet në shëndetësi kanë emër, dhe për të pasur drejtësi të vërtetë, prangat duhet të kërcasin lart, në krye të punëve.
Burimi