Shqipëri vs Europë, si ndryshoi popullsia në 12 vite? Vendi ynë, me rënien më të lartë në hartën europiane
Rezultatet e Censit të vitit 2023 vërtetuan rënien e ndjeshme të popoullsisë të paralajmëruar nga tregues të ndryshëm si numri i lindjeve, shtesa natyrore e popullsisë, apo edhe shifrat e emigracionit. Në harkun kohor të 12 viteve, Shqipëria ra me rreth 420 mijë banorë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Konkretisht, popullsia banuese në Shqipëri, sipas llogaritjeve të rezultateve të Censit, rezulton të jetë 2,402,113 persona. Ndërkohë, në Censin e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, popullsia banuese ishte 2,821,977 persona. E shprehur në përqindje, rënia e popullsisë në vendin tonë vlerësohet në rreth 15%.
“Scan Intel”, me ndihmën e shifrave të “Agjencisë Europiane të Statistikave”, ka përllogaritur se si ka ndryshuar numri i popullsisë në vendet e Europës referuar të njejtës periudhë. Referuar shifrave të Censit të vitit 2011-të dhe treguesve të popullsisë në vitin 2023, në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian, popullsia paraqitet me rritje.
Më konkretisht, nëse analizojmë shifrat, vemë re se Malta dhe Luksemburgu kanë rritjen më të lartë të popullsisë në harkun kohor të 12 viteve, me rreth 30% dhe 29% përkatësisht. Po ashtu, edhe Islanda, Irlanda dhe Suedia, renditen me vendeve ku numri i popullsisë është rritur. Rritje më modeste regjistrojnë vendet si Sllovakia, Spanja dhe Sllovenia.
Ndërkohë, nga ana tjetër, paraqitja grafike e të dhënave na tregon se Shqipëria renditet mes vendeve me rënien më të madhe të popullsisë. Bullgaria, Kroacia, Letonia, Lituania, Rumania, Greqia, Hungaria, Polonia, Italia dhe Portugalia pasojnë vendin tonë në këtë renditje, sa i përket ndryshimit të popullsisë që nga viti 2011-të. Rënia në këto vende regjistrohet nga 0.4% në Portugali, deri në 12.4% në Bullgari.
Të dhënat më të fundit të EUROSTAT tregojnë se pas një rënie në vitet 2020 dhe 2021 për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19, popullsia e BE-së është rritur për të dytin vit radhazi, duke u rritur nga 447.6 milionë në 1 janar 2023 në 449.2 milionë njerëz më 1 janar 2024. Në total, 7 vende regjistruan një rënie të popullsisë midis vitit 2023 dhe vitit 2024, me uljet më të mëdha të raportuara në Poloni, Greqi dhe Hungari./scan
Burimi