Shfaqet murtaja afrikane te derrat në Lezhë, zona e prekur vendoset në karantinë
Një vatër me murtajën afrikanë është identifikuar në Malin e Rrencit në Lezhë.
Sëmundja është shfaqur tek derrat dhe sipas informacioneve, të paktën 10 krerë kanë ngordhur, prej të cilëve pesë brenda një ferme dhe pesë të tjerë përgjatë masivit pyjor të kësaj zone.
Pas identifikimit të rasteve, Shërbimi i Veterinarisë në Lezhë është vënë menjëherë në lëvizje dhe nga analizat e kryera ka rezultuar se derrat kanë ngordhur nga murtaja afrikane. Për këtë arsye, zona është vendosur në karantinë, ndërsa po kryhen verifikime në të gjithë zonën.
Shërbimi veterinar nuk ka pranuar të komentojë, ndërsa i gjithë personeli janë në punë ditën e sotme dhe po vazhdojnë analizimin e situatës. Një grup veterinerësh të shërbimit veterinar në Lezhë kanë dalë në terren, për monitorimin e zonës dhe duke kryer edhe dezinfektimin në rast se mund të ketë rrezik për epidemi.
Sëmundja e Murtajës Afrikane të derrave (ASF), shkaktohet nga një virusi i familjes Asfaviridae dhe është shumë ngjitëse që prek derrat shtëpiak dhe ato të egër, ku shkalla e vdekshmërisë së të cilëve mund të arrijë deri në 100%.
Virusi i kësaj sëmundje është shumë rezistent në mjedis, që do të thotë se mund të mbijetojë në rroba, çizme, rrota dhe materiale të tjera dhe mund të mbijetojë edhe në produkte të ndryshme të derrit dhe nënprodukte.
Burimi