Sherri gjatë koncertit në Palasë, shkon në dy numri i të plagosurve, shpallen në kërkim edhe dy të tjerë
Pas sherrit brutal në një lokal në Palasë, policia ka sqaruar me tej se si pasojë e dhunës fizike kanë mbetur të plagosur dy persona.
Pas hetimeve dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, ka rezultuar se ka mbetur i lënduar edhe një shtetas 42-vjeçari nga Tirana Fatbardh Aliaj, përveç Luçiano Koçeku, që u raportua i plagosur më herët.
Ndërkohë po ashtu ka rezultuar se në sherr janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, në total katër, të cilët po ashtu janë shpallur në kërkim. Konkretisht në kërkim janë Xhoni Spaho, Genti Baleci, Fatmir Bejo dhe Klajdi Cerri.
Njoftimi i Policisë:
Policia ka bërë të ditur se ka arritur të identifikojë edhe dy persona të tjerë të përfshirë në sherrin masiv në Palasë.
Në kërkim rezultojnë në total 4 persona, Fatmir Bejo 30 vjeç, Xhoni Spaho 28 vjeç, Genti Baleci, 49 vjeç dhe Klajdi Cerri, 32 vjeç.
“Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se:
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë.
Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve:
F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Njëri nga personat në kërkim, Fatmir Bejo, akuzohet edhe për plagosjen me thikë të një personi në shkurt të këtij viti në një lokal te “Komuna e Parisit”, ndërsa qe akuzuar edhe për pengmarrjen e një biznesmeni.
Mbetet e paqartë nëse Fatmir Bejo ishte ende në kërkim dhe ka shkuar ndërkohë nën hundën e policisë, në koncertin në Palasë për tu argëtuar me shoqërinë.
gijotina.com/
Burimi