Serbia po e humb tregun e Kosovës, bien ndjeshëm importet e mallrave
Serbia nuk është më në vendet kryesore që dominon për nga importi i mallrave në Kosovë.
Në dy vitet e fundit importi nga Serbia ka rënë me 70 për qind. Ndërsa, ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind.
Në muajin që lamë pas është bërë një vit që kur Kosova ka vendosur masën e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe.
Nga atëherë e deri ma tani, vërehet se Serbia ka filluar ta humbë tregun e Kosovës.
Bazuar në të dhënat e Doganës del se ka rënie të dukshme të mallrave të importuara nga Serbia.
Në periudhën janar-maj janë importuar mallra në vlerë prej 42.3 milionë eurosh. Ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar 74.99 milionë euro.
Bazuar në këto të dhëna del se gjatë periudhës 5-mujore janë importuar sasi mallrash nga Serbia 115 mijë e 234 tonë.
Ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar 183 mijë e 755 tonë mallra “Made in Serbia”.
Sipas të dhënave shteti serb nuk është më në pesë vendet që dominon për nga importi i mallrave. Turqia prin si vendi me importin më të madh, e ndjekur nga Gjermania, Kina, Greqia dhe Shqipëria.
Drejtori i Doganës në Kosovë, Agron Llugaliu në një deklarimi për media ditë më parë ka thënë se pas vendosjes së masave të sigurisë nga Qeveria, ka rënie të importit nga Serbia për rreth 70 për qind, ndërsa ka rritje të importit nga ana e Shqipërisë për rreth 25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Qeveria ka vendosur një masë e cila është bazuar në kontekstin e sigurisë që kemi në rrjedhën e ngjarjeve të qershorit të vitit të kaluar, e cila më pas ka vazhduar me përshkallëzim, edhe me sulmin që ka ndodhur në Banjskë. Ne duke marrë parasysh që kemi kapacitete që mundësojnë kontrolle bazuar në analizën e riskut, jemi zotuar për të bërë procedorimin e bordit për aq sa ne kemi kapacitete të kontrollit.
Në këtë rast ne kontrollojmë aq sa mund të kemi kapacitetin tonë, dhe kjo ka ndikuar që të ketë një reduktim prej rreth 70 për qind të importit në përgjithësi. Mirëpo, me rëndësi është që masa ka qenë efikase duke treguar që nuk kemi pasur infiltrim ose tentim të kontrabandimit të armatimit dhe pajisjeve tjera. Ne sivjet kemi një rritje të theksuar ndaj importit me Shqipërinë. Prej 122 milionë euro sa ka qenë viti i kaluar, në katër mujor, është 130 milionë, që i bie diku afër 25 për qind rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.
Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor 2023 nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur u rrëmbyen tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Më vonë Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.
Një vit pas këtij vendimi kanë reaguar në Qeverinë e Serbisë, duke thënë se u është bërë dëm në vlerë prej 210 milionë eurosh.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është ankuar se Kosova i ka shkaktuar dëm rreth 210 milionë euro, me vendimin e para një viti për vendosjen e masës së sigurisë për produktet serbe që hyjnë në Kosovë.
Drejtori i kësaj Zyre, Petar Petkoviq, është shprehur se me këtë vendim kryeministri Albin Kurti i ka shkelur në mënyrë drastike përveç marrëveshjet e Brukselit, edhe të drejtat e serbëve.
“Kurti shkel drejtpërdrejt edhe CEFTA-n edhe Marrëveshjen e Brukselit dhe në këtë kuptim, kur shikon dëmin më të drejtpërdrejtë të shkaktuar nga ky vendim, tani është rreth 210 milionë euro, por dëmi real në fakt është shumë, shumë më i madh. Së pari, më të kërcënuarit janë serbët në Kosovë dhe Metohi, sepse shumë dyqane që vareshin drejtpërdrejt nga mallrat serbe, dyqane të vogla, janë mbyllur”.
Lidhur me ndalimin një vjeçar të produkteve serbe, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kërkoi nga të dyja palët – Kosova dhe Serbia – që të mos marrin vendime të njëanshme.
“Është qëndrim i Bashkimit Evropian që Kosova dhe Serbia në çdo gjë që bëjnë duhet t’u përmbahen marrëveshjeve të lidhura në Dialog (Beograd-Prishtinë) dhe të parandalojnë ose të përmbahen nga lëvizjet që nuk janë të koordinuara dhe të njëanshme”.
Si rezultat i ndikimit të kësaj mase, Kosova ka ndërruar partnerët e saj për importimin e mallrave.
Serbia e cila ka qenë një ndër vendet nga është importuar më së shumti mall nga vendet e CEFTA-s, tash qëndron e treta në radhë me vetëm 3.4 për qind, sipas të dhënave të ASK-së për tregtinë e jashtme të publikuara në fund të majit. Para Serbisë është Shqipëria me 5.5 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 5.3. Sipas ASK-së, importet nga vendet e CEFTA-s kanë arritur vlerën e 926 milionëve apo 15,7% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 7,4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023./monitor
Burimi