Rruga e re Korçë-Ersekë mbetet e bllokuar, hapen akset për në Dardhë dhe Voskopojë (VIDEO)
Reshjet e dëborës të filluara prej ditës së djeshme në rajonin juglindor kanë sjellë edhe problematika me bllokim të akseve rrugore, si dhe me ndërprerje të energjisë elektrike.
Mësohet se trashësia e dëborës në lartësitë mbi 800 metra ka arritur nga 15-30 cm, në majë të Bigllës në aksin rrugor Boboshticë – Dardhë.
Gjatë gjithë natës më shumë se 15 mjete borëpastruese kanë punuar për të mbajtur të hapura akset rrugore Korçë – Dardhë, Korçë – Voskopojë, Kamenicë – Ersekë dhe Zëmblak – Dogana e Gorices se Madhe.
Ndërkohë, burime zyrtare pranë Autoritetit rajonal Rrugor bëjnë me dije se rruga e re nga Maja e Qafësë së Qarrit deri në hyrje të Ersekës është e bllokuar.
Mësohet se kjo situatë është krijuar për shkak të mos mbylljes së procedurave për marrjen në mirëmbajtje nga ana e firmave kontraktore të rrugës së re që lidh Korçën me Ersekën, ndaj për këtë autoritetet rrugore i kërkojnë drejtuesve të mjeteve të përdorin aksin e vjetër pasi është i kalueshëm pa probleme.
Pas reshjeve të shumta të dëborës paraqiten probleme me furnizimin me energji elektrike në fshatrat e njësive administrative Vithkuq e Lekas në bashkinë e Korçës, Dardhas në bashkinë e Pogradecit e Leskovik në bashkinë e Kolonjës.
Burimi