Projekti luksoz që privatizon Sazanin, vajza e Trump jep detaje/ Nata 1 400 $ për dhomë, vila 50.000 $

Projekti luksoz që privatizon Sazanin, vajza e Trump jep detaje/ Nata 1 400 $ për dhomë, vila 50.000 $

Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit të SHBA, Donald Trump ka treguar detaje lidhur me projektin e bërë publik pak kohë më parë nga bashkëshorti i saj Jared Kushner, për ndërtimin e një kompleksi vilash luksoze në ishullin e Sazanit.
Gjatë një interviste në podkastin e Lex Friedman, të cituar nga “The Express Tribune”, Ivanka Trump thotë se në ishullin prej 1400 hektarësh në Mesdhe “do të sjellin arkitektët më të mirë dhe markat më të mira”.
Trump shprehet se ky projekt drejtohet nga “brand”-i super luksoz “Aman” dhe do të shërbehet ushqim nga menyja më e famshme botërore, “Carbone”, pjesë e “Major Food Group”, e cila është e njohur për klientelën e saj të famshme.
“The Express Tribune” shkruan se: “Brand”-i “Aman” numëron mbi 30 investime në 20 vende dhe frekuentohet nga të famshëm si Bill Gates, Mark Zuckerberg, Kardashians, Angelina Jolie, David Beckham, George dhe Amal Clooney, Tom Hanks etj. Dhomat në resortet “Aman” zakonisht kushtojnë rreth 1.400 dollarë për natë, me vila me çmim 50.000 dollarë.
Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama konfirmoi paraqitjen e projektit për transformimin e ishullit të Sazanit nga dhëndri i ish-presidentit Trump, Jared Kushner dhe e cilësoi zhvillim pozitiv, ndërsa u shpreh se plani po vlerësohet nga autoritetet përkatëse.
Projekti ka marrë kritika pasi vlerësohet se ishulli, një zonë e mbrojtur dhe me bukuri të veçanta natyrore, do ti dhurohet një investitori privat dhe do të bëhet i paaksesueshëm për qytetarët e thjeshtë, për shkak të çmimeve të kripura. Ka zëra që shprehen se kryeministri Rama po shet Sazanin te dhëndri i Trump për interesa politike.
Nisma u bë publike nga vetë dhëndri i Trump fill pasi socialistët miratuan në Kuvend ligjin e shumëkritikuar që parashikon lejimin e ndërtimeve në Zonat e Mbrojtura.
Lexo edhe:
Thagma e “Rilindjes”: Ligji për Zonat e Mbrojtura është për … hallexhinjtë
Burimi