Plagosja te “Komuna”, gjykata lë në burg efektivin Erjon Goxhara

Plagosja te “Komuna”, gjykata lë në burg efektivin Erjon Goxhara

Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua sot seanca për masën e sigurisë të efektivit Erjon Goxhara, i cili plagosi inxhinierin e ERE-së, Lorenc Kosta pasi bashkëshortja e tij kishte një lidhje intime me të. Në fund, togat e zeza lanë në arrest me burg efektivin Goxhara.
Polici Erjon Goxhara akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë. Ngjarja u regjistrua më 19 Gusht tek “Komuna e Parisit”, kur efektivi e qëlloi disa herë me armën e shërbimit inxhinierin e ERE-s duke e plagosur rëndë.
Pas vetëdorëzimit në policinë e Tiranës, 46-vjeçari është shprehur se Kostën e pa rastësisht teksa po drekonte me vajzën.
“Para tavolinës tonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Ai kaloi dy herë para tavolinës sime dhe më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna. Kam çuar diku vajzën dhe jam kthyer dhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk kam dashur ta vras dhe prandaj qëllova poshtë. Nuk e kam bërë me paramendim. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete”, ka thënë ndër të tjera Goxhara në dëshminë e tij në polici.
Burimi