Pazare me jetën e pacientëve, Gjykata lë në fuqi masat e sigurisë për mjekët e Onkologjikut
Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private.
Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”. Sipas dosjes, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.
Në dosje theksohet se pasi pacientët merrnin programin e plotë për kurën e tumoreve dhe medikamentet siguroheshin nga shteti, mjekët ndërhynin duke programuar që një pjesë e kurës të blihej jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private.
Një nga medikamentet për kimio që duhej blerë në farmaci kushton nga 250 Euro deri në 1500 euro flakoni.
Në komunikime të tjera kuptohet që brenda farmacisë spitalore, mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërheqë medikament dhe pse nuk është radha e tij për kurim por në listën e pritjes është një person tjetër.
Mjeku Edmond Gashi, duke përdorur si argument radhën e gjatë në Onkologjik, orienton pacientët drejt klinikës së tij private, duke iu thënë se situata është emergjente dhe nuk ka kohë për të humbur.
Teksa mbërriti në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Gashi para gazetarëve u shpreh se “Unë bëj vetëm punën”.
Masat e sigurisë :
– “Arrest në shtëpi” për mjekun Edmond Gashi, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Arrest në shtëpi” për shtetasin Florian Marku , 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për Koordinatorin e QSUNT Emiljano Lela, 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për mjeken Alketa Ymeri(Pere)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për zv/Drejtoreshën në QSUNT, Brikena Qirjazi , 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin Halil Gashi
, banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;
– Për shtetasen Drilona Kishta, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal, pasi ajo rezulton jashtë RSh-së.
Burimi