Nuk shënoi ndaj Gjeorgjisë, por Yamal vendos një rekord në Europian

Nuk shënoi ndaj Gjeorgjisë, por Yamal vendos një rekord në Europian

Lamine Yamal, është padyshim një nga lojtarët më të spikatur në Europian dhe jo vetëm. Paraqitjet e shkëlqyera të 16-vjeçarit, kanë bërë që e gjithë bota e futbollit të kthejë sytë nga ai.
Sulmuesi i Barcelonës, luajti me Spanjën në ndeshjen e 1/8-ve ndaj Gjeorgjisë, ku pavarësisht se nuk shënoi dot, arriti të vendosë një rekord.
Yamal, u bë lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë në një ndeshje me eliminim direkt në fazën finale të Europianit.
Vetëm 16 vjeç e 353 ditë, anësori i djathtë, vendosi rekordin, duke thyer atë të mëparshmin, që mbahej nga Jude Bellingham. Mesfushori anglez, në Euro 2020, zbriti në fushë në moshën 18 vjeç e 4 ditë.
Yamal tashmë është në kërkim të një tjetër rekordi, atë të lojtarit më të ri që shënon në Europian. Në rast se sulmuesi gjen rrugën e rrjetës, në sfidën e radhës ndaj Gjermanisë, do të shkruante emrin e tij në historinë e Europianit, si lojtari më i ri që shënon në këtë kompeticion.
Në fakt sulmuesi i është afruar disa herë golit, por nuk e ka dërguar dot topin në rrjetë, në mundësitë që i janë dhënë.
Burimi