Nuk pastrohet Tirana me propagandë

Nuk pastrohet Tirana me propagandë

Prej kohës, situata në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë është kthyer në alarmante sipas vlerësimit të ekspertëve mjedisore, ndërsa javët e fundit, zhuli është zhvendosur nga periferia në kryeqytet.
Kontributin kryesor në këtë katrahurë e ka Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, i cilësuar “pronari faktik i inceneratorit” nga ish-zëvendësi i kryeministrit Edi Rama, Arben Ahmetaj. Me zbulimin publikisht të dokumenteve që faktuan se Veliaj i hapi rrugë koncesionit të Sharrës, madje sipas opozitës edhe në shkelje të ligjit duke tejkaluar kompetencat dhe dëshmisë së ish-numrit dy të qeverisë se Veliaj ishte koka e aferës, lindën dyshimet se koha e pushtetit të të vetëquajturit “Lal” po mbaronte dhe së shpejti e priste qelia. Inceneratori është ende inekzistent dhe ajsbergut të plehrave në Sharrë nuk dihet si do ti vejë halli, megjithatë ai vazhdon ta mbajë karrigen e pushtetit.
Nuk u lëkund as nga afera tjetër që faktoi se si drejtorët e tij në bashki kishin krijuar një kompani përmes së cilës u jepnin tendera vetes. Raportimet periodike për procedura tenderuese të dyshimta korruptivë në media dhe akuzat e opozitës as që duken se kanë fuqinë të shqetësojnë pushtetin e Veliajt, i cili tashmë ka marrë hijen e monstrës që bashkë me shefin e tij politik Edi Rama e kanë kthyer Tiranën, në atë që cilësohet gjerësisht si një qytet i pajetueshëm. Në këtë përcaktim që i japin qytetarët qytetit ndikojnë betonizimi me rritmë frenetike, mungesa e hapësirave të gjelbërta, mungesa e shkollave, kopshteve e çerdheve, trafiku rraskapitës, mungesa e vendeve të parkimit, transporti urban në kushte katastrofike… Javët e fundit një tjetër problem ka nxjerrë krye: Plehrat që kanë pushtuar rrugët e Tiranës.
U bë një kohë e mirë tashmë që opozita, mediat dhe vetë qytetarët kanë denoncuar jo vetëm me fjalë, por edhe me fotografi e video mbetjet rrugëve të Tiranës, që derdhen nga kazanët e plehrave.  Zhuli që kapluar qytetin u bë lajmotiv edhe i një proteste para zyrës së Veliajt.
Pamjet e shëmtuara për çdo qytetet në çdo cep të botës do të kishin venë në alarm këdo drejtues për të identifikuar problematikën dhe për ti ofruar zgjidhje taksapaguesve të cilët nuk po marrin shërbimin për të cilin paguajnë.
Ajo që bëri Veliaj në fakt ishte mohim i përgjegjësive të bashkisë, duke ua hedhur fajin disa kompanive private, që sipas tij nuk kanë respektuar kontratat me bashkinë. Pandehmë kjo që u rrëzua nga një raportim mediat që zbuloi se vetë kompanitë, por edhe marrëveshja mes bashkisë Tiranë dhe kompanisë “Eco-Tirana” tregojnë të kundërtën.
Erion Veliaj nuk e pranoi asnjëherë dështimin, përkundrazi kaloi në planin “propagandë” duke nxjerrë video në rrjetet e tij sociale ku shfaqej mes punonjësve të “Eco-Tiranës” duke dhënë udhëzime për pastrimin e Tiranës dhe duke bërtitur se qyteti është i pastër.
Rruga “Muhamet Deliu”, Tiranë – Foto e shkrepur sot, më 25 Shtator 2024
Megjithatë, e vërteta mund të shihet nga çdo qytetar, në çdo cep të Tiranës. Koshat e plehrave mbushen me kulm dhe derdhën në rrugë, ndërsa “Eco-Tirana” e Veliajt, e cilësuar që në krye të krijimit një ndërmarrje mafioze dhe klienteliste e kryebashkiakut, rezulton se nuk ka fshesa.
Propaganda sigurisht që nuk e pastron Tiranën.
Më shumë sasa pastrimi i qytetit, firma famëkeqe duket më tepër e angazhuar për të pastruar paratë përmes tenderave që mbajnë erë të rëndë korrupsioni. Vetëm përgjatë ditëve të fundit “Gijotina” ka denoncuar disa të tillë, me miliardat e kanalizuara në procedura tenderuese, të denja për të qenë subjekt hetimesh nga Prokuroria e Posaçme – që pavarësisht aferave të kryebashkiakut vijojë “ti ofrojë amnisti”, siç e akuzon opozita.
Burimi