Në kërkim për trafik personash nga Kosova, arrestohet në Durrës biznesmeni i striptizmit

Në kërkim për trafik personash nga Kosova, arrestohet në Durrës biznesmeni i striptizmit

Një person i shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kosovës, është arrestuar nga policia në Durrës.
Në pranga me qëllim ekstradimit drejt Kosovës u vu Dodë Rica, 47 vjeç, i lindur në Mirditë dhe pronari i një klubi nate në Prishtinë, thanë burime zyrtare nga blutë e Durrësit.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, të DVP Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar D.R., 47 vjeç. Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Trafikim personash’”, njoftoi policia.
I akuzuar dhe për evazion fiskal
Dodë Rica është një emër i përfolur në raportimet e kronikës së zezë në mediat e Kosovës. Dy vite më parë, mediat publikuan një pjesë të dosjes së prokurorisë speciale, që e akuzonte Ricën për evazion fiskal në vlerën e 36 mijë e 389 eurove përmes një klubi nate (striptizmi).
“Gjatë periudhës kohore 02.11.2017 deri në me datën 21.03.2019, përmes biznesit “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me seli në rrugën “Konjuhi” në Graçanicë, i pandehuri, me qellim të fshehjes apo shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, që parashihet sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat (Ligji Nr.03/L-222), të sanksionuar sipas nenit 63 par.1, duke dhënë shënime të pavërteta lidhur me te ardhurat e bizneseve të tij “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, duke e dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës me shumës së përgjithshme 36,389.24 euro, në emër të biznesit të lartcekur”, thuhej në dosjen e publikuar nga Gazeta “Insajderi”.
Sipas të njëjtit raportim, Rica është pronari  i rrjetit të lokaleve të striptizmit “Shqiponja”, me “5 njësi të shtrira, njëra në Prishtinë dhe 4 tjera në Gjakovë. Emri i Ricës, përmendet edhe në vitin 2018 teksa tentonte të hapte një strip klub poshtë bodrumit të Hotelit Grand në Prishtinë”.
Pronar i “Club Shqiponja” dhe në Shqipëri
Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Dodë Rica rezulton biznesmen edhe në Shqipëri me aktivitet të njëjtë si në Kosovë.
Ai është pronari i klubeve të Striptizmit “Shqiponja” në Tiranë, me dy pika të ushtrimit të aktivitetit: Njëra në zonën e ish-Bllokut dhe tjetra te “21 Dhjetori”.
Biznesi është regjistruar në vitin 2013.
“Club Shqiponja” në zonën e ish-Bllokut – Foto nga Google
Burimi