Lirimi i Berishës nga “arresti shtëpiak”, reagimet nga opozita

Lirimi i Berishës nga “arresti shtëpiak”, reagimet nga opozita

Vendimi i GJKKO për të liruar kryedemokratin Sali Berisha nga “arresti i shtëpisë” ka sjellë një sërë reagimesh nga demokratët. Për Klevis Balliun, ky vendim shënon lirimin e ndryshimit.
“Sot u lirua ndryshimi, shpresa për një Shqipëri si gjithë Europa. Ditë e zezë për narkoshtetin. Ditë e bardhë për Shqipërinë”, shkruan Klevis Balliu në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi thotë se ky është një vendim i duhur ligjor dhe një fitore politike e Sali Berishës që luftoi dhe fitoi.
“Revokimi nga GJKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës. Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitoi”, shkruan Gazment Bardhi.
Flamur Noka thotë se lufta, rezistenca, presioni i pareshtur i demokratëve e detyroi dhe e gjunjëzoi atë që ai e quan “narkodrejtësi”.
“Kjo ditë ka një domethënie: liria gjithmonë ka një çmim. Demokratët dhe Sali Berisha si lider i demokratëve e ka paguar me të padrejtë çmimin e lirisë më shumë se kushdo tjetër në këtë vend. Por kjo ditë tregon se kush qëndron, kush lufton për të drejtën dhe të vërtetën do vijë një moment që do triumfojë dhe fitojë. Demokratët kaluan një kalvar të pashoq nga regjimi dhe mafia ndërkombëtare e Xhorxh Soros. Drejtësia nën kthetrat e Soros bëri gjithçka për të likuiduar këtë forcë dhe liderin e saj. Sot, lideri i PD dhe i opozitës është i lirë falë qëndresës së demokratëve. Falë rezistencës së tyre. Falë përballjes së tyre. Falë luftës së tyre. Falë edhe të vërtetës. E vërteta vonon, por kurrë nuk harron.
Presioni i opozitës dhe qytetarëve e detyroi narkodrejtësinë t’i japë fund një sage vuajtjesh për opozitën dhe izolimi për liderin e saj. Drejtësia e Xhorxh Sorosit apo narkodrejtësia nuk ka ndryshuar asgjë. Qëndresa, lufta, rezistenca, presioni i pareshtur i demokratëve e detyroi dhe e gjunjëzoi këtë narkodrejtësi. Pra, kjo është ajo që mund t’u them. Drejtësia e Sorosit apo narkodrejtësia e pa që Strasburgu po çelte dritën jeshile dhe do rrëzonte të gjithë vendimet e narkodrejtësisë dhe u ngut në tentativë për të shpëtuar fytyrën e vet.Asgjë më shumë. Strasburgu do i çirrte maskën narkodrejtësisë së Sorosit në Shqipëri, prandaj u ngutën për të larë atë që kishin përmjerë deri tani”, thotë Flamur Noka.
Vendimi për lirimin e kryedemokratit Sali Berisha për Edi Palokën është një besim i madh se më në fund e drejta do të triumfojë dhe sipas tij, do të thotë më shumë fitore për PD-në.
Edi Paloka: Ju i keni parë të gjithë hapat që kanë ardhur me radhë, sigurisht që kanë rolin e tyre dhe të gjitha këto kanë ardhur pas fitores së Trump. Një falenderim për të gjithë demokratët që rezistuan. Besim të madh se më në fund, e drejta do të triumfojë. Do të thotë shumë më tepër fitore për PD-në.
Jozefina Topalli e ka quajtur ditën e sotme një ditë shprese dhe vendosmërie teksa ka falenderuar kryedemokratin Berisha për kurajon dhe frymëzimin teksa ka shtuar se beteja vazhdon.
“Pas 350 ditësh padrejtësie, Sali Berisha tregoi se kur njeriu ka të drejtën dhe guximin në zemër, as izolimi dhe as presioni nuk mund ta thyejnë. Sot është një ditë shprese dhe vendosmërie. Pas 350 ditësh padrejtësie, Sali Berisha tregoi se kur njeriu ka të drejtën dhe guximin në zemër, as izolimi dhe as presioni nuk mund ta thyejnë. Por kjo nuk është fundi, është fillimi. Tani është koha për të fituar kundër mafies dhe korrupsionit që ka kapur Shqipërinë. Është koha për të çliruar drejtësinë, për të mbrojtur të ardhmen dhe për të rikthyer dinjitetin e një kombi të lodhur nga padrejtësitë.
Sali Berisha, një fuqi e natyrës, edhe pse 80 vjeç, përballoi 350 ditë arrest shtëpie, pa asnjë provë dhe përballë një procesi politik të qartë për të dobësuar opozitën. Por, edhe i mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë, ai nuk u ndal. Nga dritarja e tij, çdo ditë, frymëzoi dhe inspiroi shqiptarët me forcën e karakterit dhe besimin se padrejtësia nuk mund të fitojë. Berisha tregoi se kur njeriu ka një kauzë dhe një zemër të fortë, as mosha dhe as izolimi nuk mund ta thyejnë. Ai habiti miq e kundërshtarë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe shpresës për ndryshim.
Një mirënjohje e thellë shkon për ata qytetarë të guximshëm që për 350 ditë, në shi dhe diell, protestuan para shtëpisë së tij, duke qëndruar në krah të së drejtës dhe kundër padrejtësisë. Ky solidaritet është dëshmia se fuqia e popullit është më e madhe se çdo regjimi i korruptuar. Shqipëria ecën përpara me njerëz që nuk dorëzohen! Faleminderit, Sali Berisha, për kurajon dhe frymëzimin. Beteja vazhdon”, shkruan Topalli në “Facebook”.
Agron Gjekmarkaj thotë se me këtë vendim, era e ndryshimit po vjen në vendin tonë.
“Fitorja e Trump arrin dhe në Shqipëri! Lirohet lideri i opozitës Prof. Dr. Sali Berisha! Era e ndryshimit po vjen në vendin tonë“, shkruan Gjemarkaj.
Një reagim nga qelia ka pasur edhe ish-Presidenti Ilir Meta: Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës!
Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizmin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA.
Mirënjohje të jashtëzakonshme edhe për Gjykatën e Strasburgut, që si asnjëherë tjetër, e ka klasifikuar rastin “Berisha” si “leading case”, pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme.
Desorosifikimi i drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare.
Burimi