Kosovë/ Vdes një grua 41 vjeçare në Graçanicë nga pasojat e dhunës në familje

Autoritetet lokale në Graçanicë afër Prishtinës, thanë se një grua e lindur në vitin 1983, vdiq të premten nga pasojat e plagëve që i kishte shkaktuar bashkëshorti i saj dy ditë më parë.
Gruaja që u identifikua me inicialet M.Zh. nga fshati Gushtericë e Poshtme e komunës së Graçanicës, ndërroi jetë në spital ku ishte dërguar me 31 korrik me plagë të rënda në kokë.
Bashkëshorti është arrestuar dhe të premten një gjykatë në Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Veprimtarja për të drejtat e grave dhe drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Pravo na pravo” me seli në Graçanicë , Milica Stojanoviç, shkroi në rrjetet sociale se “ajo u vra vetëm pse ishte grua”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh e tronditur me lajmin për vdekjen e gruas së rrahur nga bashkëshorti.
“Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngremë vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale”, shkroi ministrja Haxhiu në Facebook.

Ky është rasti i tretë i vrasjes së grave në Kosovë gjatë këtij viti.
Në muajin prill, dy gra, një në Pejë e tjetra në Ferizaj, u vranë nga bashkëshortët e tyre.
Që nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra./voa
Burimi