Korreshi: Protestë në 11 korrik edhe për lirimin e Sali Berishës, përballë tij të gjithë në PD jemi të humbur
Në 11 korrik, në protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, opozita do të protestojë edhe për lirimin e Sali Berishës. Deputeti demokrat Saimir Korreshi listoi arsyet se përse shqiptarët duhet të protestojnë, që nga skandali te shëndetësia, arsimi, por edhe Sali Berisha.
“Në Lushnje ka 4 ditë që uji vjen me fekale. Ne ishim në Kosovë dhe vura re që nafta kushtonte 1.26 euro, ndërkohë te në 60 lekë më shumë, si ka mundësi që ne kemi këto taksa pa fund. Shikoni sistemin arsimor, protesta sensibilizon njerëzit, duhet të dalin për vete, jo sa herë i thërret opozita, dhe një sinjal qeverisë që vazhdon dhe thotë që është mirë e bukur, por që ka njerëz që kan hallë dhe siklet, kjo është ajo çka protestat prodhojnë.
Protesta thërret qytetarët edhe për të liruar Sali Berishën, por jo vetëm për të liruar Berishën, por për atë që po i ndodh një lideri të një opozitë, të paktën të enjten ai duhet të ishte në Kuvend”, tha Korreshi.
Kur kanë mbetur gati 1 vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike është ende e paqartë se cila do të jetë alternativa e saj përballë qytetarëve. Sali Berisha është një prej tyre, e ndërsa vetë Korreshi e pranoi se në rast të një gare të brendshëm për kandidat për kryeministër, përballë ish-kryeministrit në “arrest shtëpie”, të gjithë janë të humbur.
“Demokratët shqiptarë do ta gjejnë mënyrën se si të ofrohet një alternativë më të mirë. Ai e ka lënë të hapur kur dhe ne kishim mendim ndryshe, kur ishin kundër Berishës, ai e ka hapur atë rrugë për këdo që do të kandidojë, do ketë dhe një sondazh se si do të funksionojë dhe do japin shqiptarët një lider i ri për kryeministër apo Berisha, gjithë njerëzit kërkojnë ndryshim, por duhet parë se sa efikasë është ai ndryshim, nëse do kemi një ndryshim do kemi me një kartë që ka dhënë prova që nuk zhgënjen, deri sa të gjejmë atë person, do jetë Berisha.
Sot përballë Berishës do humbim, unë po e po, po të gjithë, se Berisha tregoi që diti të rimarrë partinë dhe të ketë statusin e liderit. Të gjithë garat te PD kanë sjellë dhe situata shumë të rënda të qejf mbetjes me palëve, sot PD e ka staturën për një alternativë të mirë”, tha Korreshi.
Duke u ndalur te skandali të Onkologjiku, Korreshi tha disa argumente se përse shëndetësia është në gjendjen e saj më të rëndë.
“Keq menaxhimi, babëzia për të vjedhur, vetëm në mjekësi janë gati 460 mln euro për 4 koncesione në Shëndetësi, 2 prej të cilave në hetim. Me kaq lekë duhet të kishim spitale më të mira, politika, Rama është më shumë i fokusuar për të vjedhur, duke qenë se rrogat në sektorin e shëndetësisë, janë mizerabël, unë mendoj që një mjek që ka bërë 11 vite shkollë, kjo është shqetësuese, se nuk mundet që një roje shkollë të marr 60-70 mijë lekë, ndërkohë një mjekë të marrë po aq. Është krijuar një sistem i tillë ku kolegët e tyre marrin shumë më shumë, kjo sjell neglizhencë, do hap klinikë të veten, unë kam 8 muaj që në Lushnje kërkoja një aparat se nuk bëhej grafia, dhe realizohet më në fund. Faji i qeverisë ka qenë që t’ia kalonte fajin mjekut, llogaridhënia ndaj ministres është a ka kuptuar ndonjë gjë se si funksionon shëndetësia apo ka ardhur aty me laps e letër për të bërë ndonjë lekë”, tha ai./a2cn
Burimi