Konstituohet “Dezinformimi”/ Opozita bojkoton, shqetësime për lirinë e medias
Këtë të mërkurë, në ambientet e kryesisë së Kuvendit u zhvillua mbledhja e konstiuimit të komisionit parlamentar për “Dezinformimin”. Të pranishëm ishin vetëm deputetët socialistë, ndërsa prezente si e ftuar ishte dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila mbajti edhe një fjalim.
“Ka raste që burime e aktorë teknologjik po nxitene e mbështeten nga qeveri apo grupime politike apo ideologjike që synojnë të krijojnë terren për terrorizëm dhunë, ekstremizëm të dhunshëm radikalizëm dhe veprime të tjera antiqytetëruese. Këto influenca janë një rrezik real për proceset dhe institucionet demokratike”, deklaroi Nikolla.
Opozita bojkoti. Më herët, deputetët demokratë dhe ekspertë të mediat kanë shprehur shqetësime se ky komision mund të jetë një tjetër mashë në dorë të pushtetit për të goditur lirinë e medias.
Megjithatë, socialistët shprehen ndryshe.
“Nuk duhet të ketë asnjë frikë, asnjë paranojë që ky komision mund të shërbejë si instrument që do duhet të ngrejë mazhoranca për të kontrolluar një aspekt të shoqërisë dhe sidomos me atë që lidhet me fjalën e lirë dhe të medias. Përkundrazi këtu jemi për të parë si po i përgjigjet Shqipëria me institucionet që ka, këtij shqetësimi që vjen nga partnerët”, tha Bledi Çuçi.
Erion Braçe theksoi se qëllimi i komisionit nuk është të përndjekë, as individë e as organizata.
Sipas tij, “ky komision ka për qëllim të njohë, të mbledhë të dhëna, të analizojë gjetje mbi to, të organizojë një masë kritike shoqërore dhe institucionesh publike e private për t’ju përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar një lufte të organizuar të shteteve jo mike dhe qëllimeve të tyre malinje të shtuara, veçanërisht prej luftës në Ukrainë edhe ndaj Shqipërisë, si factor kyç properëndimor, stabiliteti në Europën Juglindore, anëtare e NATO-s dhe në negociata me BE-në”.
Erion Braçe është edhe drejtues i komisionit me 11 pjesëmarrës dhe afat 1-vjeçar. Gjashtë anëtarë i takojnë mazhorancës dhe pjesa tjetër opozitës.
Burimi