KAS pranon kërkesën e opozitës për hapjen e kutive zgjedhore në Himarë

KAS pranon kërkesën e opozitës për hapjen e kutive zgjedhore në Himarë

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, pasi opozita kërkoi verifikimin e tyre pas zgjedhjeve të katër gushtit.
Në bazë të këtij vendimi mësohet se do të kryhet verifikimi: Kopje e të gjitha Regjistrave të Posaçëm të 36-QV në Himare, ku janë evidentuar të paktën 560 zgjedhës që nuk janë lejuar të votojnë, pasi karta ID e tyre rezultonte me datë të skaduar.
Kopje e të gjitha proces-verbaleve apo dokumenteve të tjera të votimit të 36-QV në Himarë, ku mund të jetë shënuar manualisht identifikimi i mbi 260 votuesve të cilëve, pasja PEI nuk i njihte, edhe pse kartat e tyre ID ishin rinovuar pak ditë përpara datës 4 gusht 2024.
Koalicioni Bashkë Fitojmë vuri në lëvizje këtë hallkë të KQZ-së duke kërkuar pavlefshmëri zgjedhore, ku si argument kishte pamundësimin e qytetarëve të Himarës për të ushtruar të drejtën e votës për shkak të skadimit të letërnjoftimeve.
Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo fitoi me 1400 vota diferencë ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Petro Gjikuria.
Seanca e radhës do të jetë të hënën, në orën 11:00, ndërsa relatori Koli Bele tha se të hënën do merret vendimi.
 
 
Burimi