Ju kap ngërçi i këmbës gjatë natës? Ja si ta ndaloni
Tkurrjet muskulare në pulpën e këmbës shkaktojnë shumë dhimbje të forta, veçanërisht kur ato shfaqen gjatë natës. Këto ngërçe, zakonisht prekin pjesën e pulpës së këmbës, shputën e këmbës madje edhe tendinat. Ato janë më të shpeshta pas moshës 40-50-vjeçare. Deri më tani, shkencëtarët nuk kanë arritur të përcaktojnë një shkaktar të saktë të tkurrjeve muskulare, por teoritë janë të shumta. Disa shkencëtarë janë të mendimit se stili modern i jetesës është një nga shkaktarët e mundshëm të tkurrjeve të muskujve të këmbës. Nëse më parë, njerëzit kalonin shumë kohë duke ecur, duke u ulur dhe ngritur në këmbë, tani shtendosjes së tendinave të këmbës i kushtohet më pak kohë.
Ekspertë të tjerë thonë se gjatë gjumit, këmba është në pozicion të njëjtë për disa orë dhe çdo lëvizje e vogël shkakton kontraktim. Ngërçet e këmbës shfaqen më shumë në verë sesa në dimër, sepse gjatë verës rritja dhe riparimi i nervave është më intensiv. Trupi prodhon vitaminë D nga ekspozimi i diellit dhe trupi përshpejton riparimin e nervave.
Sipas teorive të tjera, gjatë verës njerëzit ushtrohen dhe djersijnë më shumë duke u dehidratuar rregullisht. Dehidratimi është identifikuar si shkaktar i mundshëm i ngërçeve muskulare. Këto të fundit shfaqen më shumë në rastet e shtatzanisë, depresionit, artritit dhe tensionit të lartë. Ekspertët thonë se njerëzit që kryejnë shtendosje të rregullta të gjymtyrëve përpara gjumit pësojnë më pak kontraktime. Për më tepër, konsumi i shumë ushqimeve me magnez është i këshillueshëm kundër ngërçeve. Ushqime të pasura me magnez janë fasulet, arrorët, drithërat e plota dhe barishtet. Përpos ushqimeve, duhet të siguroheni që të pini shumë ujë gjatë ditës dhe të merrni edhe vitamina B. Kur ngërçi kaplon këmbën, sigurohuni që ta shtendosni atë sa më shumë shtrirë ose në këmbë.
Burimi