Itali, Gjykata e Lartë urdhëron qeverinë e Melonit të kompensojë emigrantët e bllokuar në det

Itali, Gjykata e Lartë urdhëron qeverinë e Melonit të kompensojë emigrantët e bllokuar në det

Gjykata e Lartë e Italisë ka urdhëruar qeverinë të kompensojë një grup emigrantësh paditës, pasi mbetën të bllokuar në det për ditë të tëra në një anije të rojes bregdetare në vitin 2018 për shkak të politikave të ashpra kundër emigracionit të ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Matteo Salvini.
Shuma e kompensimit do të përcaktohet nga një gjykatë në të ardhmen e afërt. Matteo Salvini kishte kërkuar me këmbëngulje, kur migrantët u shpëtuan nga anija e Rojës Bregdetare italiane Diciotti, që ata të lejoheshin të zbarkonin në Maltë, gjë që qeveria e Valetës e refuzoi.
Nga ana e saj, Kryeministrja Giorgia Meloni kritikoi vendimin e gjykatës si “të dyshimtë” dhe “zhgënjyes”. Sipas saj, vendimi nuk do të ndihmojë “qytetarët të afrohen më shumë me institucionet”.
“Për shkak të këtij vendimi, qeveria do të duhet të paguajë dëmshpërblim duke përdorur para nga qytetarë të ndershëm italianë që paguajnë taksa  për njerëzit që tentuan të hynin ilegalisht në Itali, duke shkelur ligjin italian”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
Nga ana e tij, Salvini, e quajti vendimin “absurd”, duke u kërkuar gjyqtarëve të përdorin paratë e tyre nëse vërtet duan të kompensojnë “migrantët e tyre të dashur”.
Gjykatat italiane kanë sfiduar gjithashtu nismën kryesore të Melonit për transferimin e emigrantëve në qendrat e pritjes të ndërtuara në Shqipëri për përpunim të shpejtë.
Një grup emigrantësh nga Eritrea iu drejtuan gjykatës së Lartë lidhur me kalvarin e 190 emigrantëve nga anija e rojes bregdetare të Italisë Diciotti në gusht 2018. Trembëdhjetë migrantë me probleme shëndetësore u zbarkuan fillimisht në ishullin Lampedusa në skajin jugor të Italisë. Anija më pas u drejtua për në Catania në Siçili, por u bllokua për rreth 10 ditë me urdhër të Salvinit, përpara se 177 emigrantët e mbetur të lejoheshin të largoheshin.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente