Ish-kryetari i FRESSH në arrest, Apeli lë në fuqi sekuestrimin e pronave në Spitallë, Durrës

Ish-kryetari i FRESSH në arrest, Apeli lë në fuqi sekuestrimin e pronave në Spitallë, Durrës

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Durrësit, që vendosi sekuestron për 448 mijë metër katrorë tokë shtetërore në Spitallë, që u tjetërsua në mënyrë të paligjshme nga disa ish-zyrtarë.
Ndërkohë, Apeli la në fuqi vendimin për arrest me burg për Leonard Kadrimin, Ardit Kërtushën, dhe Dashnor Taullën.

Ish-drejtuesi i FRESSH në Durrës, Ardit Kërtusha akuzohet si strumbullari i kësaj skeme me vlerë qindra mijëra euro, me ndihmën e zyrtarëve të Kadastrës dhe personave të tjerë.

Në vitin 2018, një ish-punëtor ferme i quajtur Lirim Xhameta u kontaktua nga një person me emrin Diti, i cili i premtoi se do t’ia bënte ai dokumentet për të përfituar 3 mijë metra katrorë tokë në Spitallë në periferi të Durrësit.
Muaj më vonë, personi që identifikohet si Diti në një vendim për caktim mase sigurie të Gjykatës së Durrësit, e adresoi Xhametën në një zyrë noterie, pasi më parë i dha të firmoste një akt të bardhë për marrje toke në pronësi
Në zyrën e noterisë, Xhameta, bashkëshortja e tij dhe i biri firmosën një akt përfaqësimi në emër të një personi që nuk e njihnin dhe morën në këmbim 200 mijë lekë nga Diti.
E vënë në lëvizje në vitin 2023 nga një denoncues, Prokuroria e Durrësit gjeti se përmes falsifikimit të akteve të Kadastrës, Xhametës i ishin kaluar në fakt 75 mijë metra katrorë tokë, të cilat edhe pse ai nuk e dinte se ku ndodheshin, ishin tjetërsuar dhe shitur për 17 milionë lekë.
E njëjta skemë është përsëritur edhe për një sipërfaqe të dytë prej 76 mijë metrash katrorë, e regjistruar fillimisht në emër të të ndjerit Dilaver Taulla. Edhe pse Taulla kishte vdekur në vitin 2003, toka kaloi në pronësinë e tij në vitin 2010 dhe trashëgimtarët e tij u vunë në dijeni në vitin 2010.
Skema e tjetërsimit të pronave shtetërore në Spitallë të Durrësit është edhe më e gjerë. Sipas njoftimit të Prokurorisë, 448.000 m2 tokë u zhvatën dhe u tjetërsuan përmes mashtrimit, falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët shtetërorë.
gijotina.com/
Burimi