I shpëtoi atentatit me 10 plumba në Berat, dëshmon Altin Halili: Dyshoj për hakmarrje mbi vrasjen që bëra…
Policia ka marrë në pyetje Altin Halilin, 46 vjeçari i cili pasditen e djeshme i shpëtoi një atentati të organizuar ndaj tij në fshatin Dushnik në Berat.
“Dyshoj hakmarrje për vrasjen që bëra në 1997, s’kam konflikt tjetër”- mësohet të ketë thënë ai para grupit hetimor.
Halili ka deklaruar në Policinë e Beratit se ai po kalonte përpara një shkolle private në Berat, ku në atë lagje do të takonte një mik dhe ka parë 3 persona të maskuar që i kishin zënë pritë.
Pasi i ka parë, Halili ka shtuar shpejtësinë e mjetit dhe ka dashur t’i godasë me makinë por nuk ka mundur pasi ata kanë filluar ta gjuajnë me breshëri kallashnikovin.
Halili ka deklaruar se është ulur poshtë sediljes dhe pasi ka dëgjuar makinën që ka ikur me shpejtësi, ka lëvizur.
Sipas tij, atentatorët janë larguar duke menduar se e kishin vrarë. Sipas Policisë, atentatorët e kanë qëlluar në ecje me automatik Skorpion.
Altin Halili është qëlluar me 10 plumba, të cilët kapën pjesën e pasme të makinës së tij. Më pas, rreth 20 km nga vendngjarja, autorët dogjën në fshatin Kozare në qytetin e Kuçovës, makinën e tyre, tip Hunday Tuscon.
Ndërkohë që grupi hetimor po vazhdon të punojë për zbardhjen e ngjarjes, strukturat e DVP Fier e Berat nuk kanë arritur ende të kapin deri më tani autorët e atentatit, pavarësisht postblloqeve të shumta, të ngritura në çdo hyrje-dalje qyteti e fshati në Berat, Lushnje, Kuçovë e Fier.
Shënjestra e atentatit, Altin Halili është dënuar për vrasjen e Sokol Kaloshit, vrasje e kryer në vitin 1997. Altin Halili u dënua 15-vjet burgim dhe ka dalë nga burgu në vitin 2010.Pas daljes nga burgu, Halili u largua në Itali, nga ku ishte kthyer vetëm pak kohë më parë.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Beratit, ka marrë në pyetje deri në orët e para të mëngjesit 3 persona nga fisi i Kaloshëve, ku në vitin 1997 shënjestra e atentatit kishte vrarë Sokol Kaloshin.
Të pyeturit në Policinë e Beratit kanë qenë vëllai i të ndjerit Sokol Kaloshi dhe 2 nipërit e tij, të cilët pasi kanë dhënë për disa orë deklaratat e tyre janë lënë të lirë.
Atentati ndaj Altin Halilit, ndodhi pasditen e djeshme në rrugën e fshatit Dyshnik. Atentatorët, që lëviznin me një automjet Hunday Tuscon, nuk kanë mundur dot as ta plagosin shënjestrën e tyre, edhe pse kanë gjuajtur disa herë me kallashnikov drejt tij.
Plumbat kanë prekur vetëm makinën e 46-vjeçarit,duke bërë “shoshë” xhamin e pasmë dhe sediljen e pasme të mjetit.
Burimi