“Fajin e mbartin mbi vete!”, sfidat e të mbijetuarve të dhunës s*ksuale në Kosovë

“Fajin e mbartin mbi vete!”, sfidat e të mbijetuarve të dhunës s*ksuale në Kosovë

Paragjykimet me të cilat përballën të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, sipas aktivistes Dorina Babuni, bën që ky grup të ndjehet vetë fajtor për atë çfarë u ka ndodhur. Zonja Babuni, një nga aktivistet më me përvojë nga organizata “Medica Gjakova” ndihmon dhe mbledh të dhëna për viktimat e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë intervistës me Zërin e Amerikës, ajo tregon se një raport në të cilin ajo dhe aktiviste të tjera kanë punuar mbi dy vjet me të mbijetuarit do të publikohet në muajin shtator. Aktivistja nga Kosova, e cila po qëndron në Shtetet e Bashkuara në kuadër të Programit të Departamentit të Shtetit për Vizitorët Ndërkombëtarë, thotë se shumica e të mbijetuarve nuk pranojnë të flasin publikisht për shkak të stigmës me të cilin vazhdojnë të përballen, 25 vjet pas çlirimit të Kosovës. Me zonjën Babuni bisedoi kolegu Artan Haraqija.
Zëri i Amerikës: Së shpejti pritet të publikohet një raport për të cilin keni punuar për dy vite me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mund të na thoni diçka rreth këtij raporti?
Dorina Babuni: Raporti, që do të publikohet në muajin shtator, është një studim për pasojat afatgjata të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ai është bërë nga organizata “Medica Gjakova” në bashkëpunim me ‘Medica Mondial’, organizatën tonë partnere në Gjermani dhe tregon se cilat janë pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, cilat janë strategjitë që të mbijetuarit i kanë përdorur që të rimëkëmben, që të rifillojnë jetën e tyre. Po ashtu raporti merret edhe me perspektivën e të mbijetuarve mbi vetëdijen e popullit, gjendjen në të cilën janë, si dhe çfarë ndikimi ka patur ajo çfarë iu ka ndodhur në jetën e tyre.
Zëri i Amerikës: Përmes raportit ju keni treguar se stigma është problemi kryesor me të cilën përballen. Nuk është vetëm akti i rëndë që kanë përjetuar, por edhe përjetimet shumë të rënda pas luftës nga shoqëria, nga rrethi dhe familja. Mund të ndani me ne ndonjë nga përvojat që të mbijetuarit ju kanë treguar?
Dorina Babuni: Stigma është ajo që ne, së bashku me të mbijetuarit, po mundohemi ta luftojmë çdo ditë për shkak se në supet e tyre ende qëndron faji padrejtësisht. Të gjithë fajin e mbartin mbi vete. Kjo është trauma me të cilën jetojnë. Disa nga tregimet që na janë thënë neve është se si kanë menduar t’i japin fund jetës, apo si kanë jetuar me ndjenjën se gjithçka mund të shkatërrohet në jetët e tyre nëse ato tregojnë se çfarë u ka ndodhur. Kemi raste kur kanë frikë se burri i dëbon nga shtëpia nëse e merr vesh se çfarë ka ndodhur.
Ka patur raste të tjera që kanë rrëfyer që prindërit praktikisht e kanë dëbuar nga shtëpia ‘sepse është turpi i familjes’. E gjithë frika është nëse dalin hapur të tregojnë se çfarë u ka ndodhur, ato do të bëhen turpi i familjes, do të bëhen turpi i shoqërisë. Shumica prej tyre mundohen që këtë sekret, këtë vuajtje, ta mbartin me vete deri në varr. Ne mundohemi t’u ofrojmë mbështetje që t’i ndihmojmë ato t’ua tregojnë këtë përvojë të tjerëve. Në momentin kur e ndajnë këtë histori me të tjerët, aty fillon shërimi.
Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 25 vjet prej përfundimit të luftës dhe ka ende raste që askush nuk e di nga familja? E dini ju, por nuk iu kanë treguar asnjë anëtari të familjes?
Dorina Babuni: Ka ende shumë raste. Fatkeqësisht ka shumë dhe këtë po mundohemi që përmes aktiviteteve të ndryshme, përmes shërbimeve të drejtpërdrejta që i ofrojmë ne në organizatë, përmes aktiviteteve të ndryshme që të ndërgjegjësojmë shoqërinë që t’i pranojë ashtu siç janë. Ne duhet t’u ofrojmë mbështetje sepse është një grup shumë i ndjeshëm, është një grup që ka përjetuar shumë gjëra të tmerrshme dhe e gjithë ajo që iu duhet është mbështetja jonë. Këtë mbështetje ato nuk e kanë. Ka prej tyre që sekretin e tyre apo rrëfimet e tyre i kanë treguar vetëm në organizatë.
Zëri i Amerikës: Pra, ka arsye pse janë vetëm dy prej të mbijetuarve që kanë dalë hapur për të treguar historitë e tyre të përdhunimit?
Dorina Babuni: Pikërisht, janë gjithë ato arsye që përmenda dhe shumë të tjera që kanë ndikuar që këto të mos dalin hapur dhe të mos flasin për atë që iu ka ndodhur.
Zëri i Amerikës: Viteve te fundit, organizata juaj ka ndihmuar procesin për t’u siguruar pensione të mbijetuarve të përdhunimeve. Ka patur ankesa nga të mbijetuarit për kufizimet kohore që i janë vendosur këtij procesi, pastaj për verifikimin nga komisioni qeveritar… Ku qëndrojnë kundërshtimet?
Dorina Babuni: E gjitha ka të bëjë me ndjenjën që kanë kur përballen me intervistat. Ne po flasim për një ngjarje që ka ndodhur para 25 vjetësh, që ka ndodhur gjatë luftës dhe nganjëherë nga komisioni kërkohen disa gjëra që janë të vështira për t’u gjetur. Kërkojnë dokumente shtesë, kërkojnë ca gjëra që i bënë të mbijetuarat të ndjehen jo rehat.
Zëri i Amerikës: Për çfarë dokumenti shtesë bëhet fjalë, apo çfarë dokumenti në përgjithësi mund të prezantojë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës?
Dorina Babuni: Nganjëherë edhe ne mundoheni t’i kuptojmë se çfarë dokumenti shtesë kërkojnë. Bëhet fjalë për disa raporte mjekësore, nëse kanë, pra gjithmonë çështja është nëse i kanë. Kërkohet për ndonjë dëshmitar, pasi ka raste kur ka anëtarë të familjes që janë dëshmitarë sepse kanë ndodhur dhunime në grup. Kemi raste kur janë pesë apo gjashtë motra.
Zëri i Amerikës: Të gjitha të përdhunuara gjatë luftës?
Dorina Babuni: Po, po të gjitha. Ka dhunime grupore, pra ka gjëra të tmerrshme që me të vërtetë kanë ndodhur dhe ne gjatë gjithë kohës po punojmë që së pari ky afat të hiqet fare sepse është e pakuptimtë të ketë afat kohor për statusin. Ne tek ‘Medica Gjakova’, së bashku me organizatat anëtare të platformës “Bëhu Zëri Im” po mundohemi gjatë tërë kohës që të heqim afatin.
Po ashtu po punojmë që komisioni ta bëjë më të lehtë intervistën për identifikimin e të mbijetuarve. Ne i kuptojmë protokollet që qëndrojnë, jemi të vetëdijshëm për këtë, por jemi po ashtu përkrahëse të idesë që të ketë qasje më të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës dhe për këtë po punojmë.
Zëri i Amerikës: Ka patur raste kur Komisioni nuk ka pranuar t’i njohë statusin e të mbijetuarës një prej grave që ju besoni fuqishëm se ka qenë e përdhunuar gjatë luftës?
Dorina Babuni: Ka refuzime të tilla, por pastaj kemi procese të tjera ku përfshihet përpjekja jonë duke dërguar ankesa, bëhet rishqyrtimi i rastit dhe pastaj, në shumicën e rasteve, pas rishqyrtimit, iu është dhënë statusi.
Zëri i Amerikës: Për numrin e saktë të tyre janë dhënë shifra të ndryshme, është thënë se numri shkon nderi në 20 mijë – është e saktë kjo?
Dorina Babuni: Ka një debat të gjerë mbi këtë numrin 20 mijë. Kjo shifër ka dal prej CDC-së (Center for Disease Control – Qendra amerikane për Kontrollimin e Sëmundjeve), pas përfundimit të luftës. Ne besojmë fuqishëm që ka shumë të mbijetuar pavarësisht se ka pak nga ata që kanë dalë hapur, apo kanë aplikuar për procesin e pensionit.
Mirëpo të gjitha rrethanat, të gjithë situatat brenda shtëpive të tyre i pengojnë ato të dalin hapur dhe kjo mund të ndikojë që në raporte ky numër të mos jetë 20 mijë. Por, unë besoj fuqishëm nëse nuk janë 20 mijë, ky numër megjithatë është shumë, shumë i madh. Këtë e dimë nga puna jonë, e dimë kur rrëfejnë duke thënë: ‘unë kam ardhur, por nuk kam mundur të bind edhe një shoqe, një kushërirë apo një të njohur që e dinë që i ka ndodhur, por ajo nuk ka mundësi të vijë.
Këto janë deklarata që i kanë thënë vetë të mbijetuarat. Nëse kështu thonë, ne menjëherë e bëjmë një plus një, sepse e dimë që qenka edhe dikush tjetër, përpos asaj që ka ardhur në organizatë.
Zëri i Amerikës: Cilat janë argumentet që besoni ju se e bindin një grua të dalë para komisionit duke patur parasysh rreziqet nëse kuptohet se ajo është e mbijetuar e dhunës seksuale?
Dorina Babuni: Këtu luan rol të madh edhe mbështetja e organizatave që punojnë që prej 25 vitesh me këto të mbijetuara. Është mbështetja që iu ofrojmë çdo ditë sepse ne punojmë me qasjen ‘viktima në qendër’. Nga mbështetja që iu ofrohet, nga puna e këshillueseve që janë gjatë tërë kohës me to.
Pra, ato janë fuqizuar deri në një masë dhe duan që edhe shteti të jetë i njoftuar për to, të kuptohet që këtu është një e mbijetuar. Shumica prej tyre kuptohet aplikojnë edhe për mbështetje financiare pasi ne të gjithë e dimë ekonominë, të gjithë e dimë sa i nevojshëm mund të jetë një pension. Po ashtu ka të tilla që aplikojnë vetëm për të thënë dhe këtu po e citoj njërën: ‘le ta dinë që jam, nuk e dua pensionin – por le të dinë që jam këtu”.
Ne i inkurajojmë ato gjatë gjithë kohës që të aplikojnë sepse pavarësisht që është një shumë simbolike, apo që nuk ua zgjidh të gjitha problemet, sidoqoftë është një ndihmesë. Ne i inkurajojmë të aplikojnë pasi i ndihmon financiarisht, i ndihmon emocionalisht duke e ditur se e kanë fituar statusin e po ashtu ndihmon edhe në rimëkëmbjen tonë si shtet dhe që të dihet numri i tyre dhe ta dijë historia se çfarë ka ndodhur.
Zëri i Amerikës: Ju thatë që numri i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është shumë i lartë, por numri i atyre ndaj të cilëve është ngritur padi është shumë i vogël…
Dorina Babuni: Fatkeqësisht krimi është ende i pandëshkuar, mirëpo po punojmë në këtë drejtim. Ka shumë punë sepse ka kaluar kohë dhe një pjesë e madhe e të mbijetuarve nuk e ndjejnë forcën brenda vetes që të përballen edhe me këtë proces. Mirëpo, është po aq i rëndësishëm dhe po aq e nevojshme që ne si organizata, si shoqëri, si shtet, të gjithë të përqendrohemi në punën që duhet bërë për të ndëshkuar atë çfarë ka ndodhur.
Zëri i Amerikës: Ju po qëndroni në Uashington në kuadër të Programit të Vizitorëve Ndërkombëtarë të Departamentit të Shtetit – mund të na flisni pak për vizitën?
Dorina Babuni: Ne jemi pjesë e programit që ka për qëllim qasjen ndaj traumës dhe kujdesin për pasojat nga çështjet traumatike që ndodhin. Vizita ime në Uashington, duke qenë se është edhe hera ime e parë këtu, është e mrekullueshme. Po takojmë njerëz të rëndësishëm që po na pasurojnë me informacione.
Ne jemi një grup i shumëllojshëm, vijmë nga shtete të ndryshme me prapavijë të ndryshme profesionale, por që të gjithëve na bashkon ajo që po punojmë për individin, po punojmë që të shërojmë trauma. Duhet të falënderojmë shtetin e Amerikës që po na ofron shembuj të pakrahasueshëm në këtë drejtim dhe po na e pasuron edhe neve rrugëtimin tonë profesional.
Burimi