Ethet e Nilit prekin 58 veta/ ISHP u kërkon bashkive të bëjnë dezinstektimin ndaj mushkonjave
Numri i personave të infektuar me Ethet e Nilit Perëndimor të konfirmuar në laboratorin e ISHP në vendin tonë, ka mbërritur në 58, ndërkohë që situata po mbahet në monitorim nga Instituti i Shëndetit publik, ku mbërrijnë çdo ditë teste të marra nga pacientët e dyshuar si të infektuar nëpër rrethe, për shkak të simptomave që shfaqin.
Kurbini, Fieri dhe Lushnja janë rrethe ku ka pasur më shumë raste të infektuar me Ethet e Nilit, por në këtë zona tanimë është bërë dezinsektimi për të luftuar mushkonjat që transmetojnë sëmundjen e Etheve të Nilit nga zogjtë e infektuar tek njeriu.
Instituti i Shëndetit publik ë në bashkëpunim më bashkitë ku janë evidentuar vatra të mushkonjave që përhapin sëmundjen, por edhe në Tiranë janë duke bërë dezinsektimin e mushkonjave me qëllim frenimin e përhapjes së kësaj sëmundje e cila shkakton humbje jete.
Por ISHP u kërkon të gjithë bashkive në vend të bëjnë dezinsektimin e territorit që administrojnë. Që nga shfaqja e kësaj sëmundjeje Instituti i shëndetit publik ka raportuar tre humbje jete. Por në 80 % të rasteve kjo sëmundje nuk shfaq shenja ndërkohë që vetëm në 1 % e rasteve të prekur mund të shfaqin sëmundje të rënda të sistemit nervor siç janë meningiti apo encefaliti, pjesa tjetër shfaq temperaturë, dhimbje koke, të vjella apo dobësi muskulore simptoma të ngjashme me ato të një gripi.
Afrimi i vjeshtës dhe ulja e temperaturave e favorizon edhe më situatën pasi mushkonjat nisin të largohen, por kjo nuk duhet të qetësojë ata që duhet të bëjnë dezinsektimin, proces që duhet të nisë që në muajin shkurt kur mushkonjat janë ende larva. Ky proces në vendin tonë nuk nis asnjëherë në kohë, pasi në rastin më të mirë dështojnë tenderët dhe si justifikim, ky shërbim dhe proces nis me vonesë ose nuk kryhet fare.
Burimi