“Ethet e Nilit”, a duhet të ngremë alarmin? Epidemiologu Alimehmeti tregon simptomat
Epidemiologu Ilir Alimehmeti foli rreth virusit të “Etheve të Nilit”, i cili tashmë ka infektuar dhjetëra njerëz në Shqipëri dhe ka marrë 3 jetë.
Sipas mjekut, kjo sëmundje nuk është e panjohur pasi raste të saj ka pasur çdo vit. Ai tregoi simptomat që ka ky virus dhe rastet kur duhet të shqetësohemi dhe të shkojmë në spital.
“Nuk është një virus që nuk e njohim apo Evropa nuk e ka parë më parë. 366 raste ka pasur në Itali një vit më parë dhe pak më pak në Greqi, e në vendet e tjera që na rrethojnë. Por te ne nuk raportojnë. Duhet të kemi kujdes me rastet pasi ata që paraqiten në spital shkojnë në gjendje të rëndë. Shumica dërrmuese e rasteve, 80% nuk ka asnjë lloj shenje, një tjetër 19% ka shenja të lehta dhe vetëm 1% e rasteve është kjo që agravohet dhe paraqitet në spital. Nuk ka shenja specifike.
Çdo lloj viroze tjetër ka të njëjtat shenja, dhimbje fyti, trupi, koke, pak temperaturë. Kur rëndohet, ajo prek njerëzit e moshuar me sistem imunitar të ulët. Humbjet e jetës janë afërsisht 0.1% të rasteve të infektuara. Ky virus nuk kalon nga njeriu te njeriu”, tha Alimehmeti për “A2 News”.
Burimi