Ekstradohet nga Spanja/ Kush është “Dajloki” – Detajet
Ismail Zeneli, i njohur me nofkën “Dajloki” është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë. Zeneli akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pjesëmarrje ne tij në grupin e strukturuar kriminal të Erzen Breçanit dhe Ervin Matës, grup i cili u “shkatërrua” nga SPAK muaj më parë.
Ismail Zeneli akuzohet për veprat penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe materiale për te kryer vrasje”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Ismail Zeneli
Zeneli nuk akuzohet vetëm për droge, por edhe si personi që donte të vriste vëllezërit Albert dhe Edmond Nela. Ai kishte pajtuar Bujar Gërmizin për eliminimin e tyre. Ata kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në komisariatin numër 6, Dedan Gjonin, i arrestuar gjithashtu nga operacioni i SPAK, për të tentuar vrasjen e 2 vëllezërve që jetojnë në Britaninë e Madhe.
Ndërsa, Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, e cila po ashtu ra në prangat e Policisë mësohet se gjatë kohës kur punonte në “Interpol” u ka dhënë informacione nga sistemi për dy objektivat që jetonin në Angli. Deri më tani dyshohet se plani për vrasjen e dy vëllezërve ishte bërë pas konfliktieve për pazaret e drogës.
Sipas dosjes hetimore, Dedan Gjoni kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e dy vëllezërve, tenton t’ju vërë GPS në makinë, ndërsa nxjerr nga sistemi TIMS të dhënat për Albert dhe Edmond Nelën. Vrasja nuk realizohet, pasi nuk arrijnë të gjejnë vendndodhjen e dy vëllezërve.
Ndërkohë, Ismail Zeneli rezulton person kyç në trafikun e drogës nga Brazili dhe Ekuadori në drejtim të vendeve të BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me Eralbi Breçanin.
Burimi