Dyshohet për atentat me eksploziv në Portin e Sarandës, viktima akoma i paidentifikuar
Shpërthimi i mbrëmshëm në Portin e Sarandës dyshohet të jetë shkaktuar nga eksplozivi. Palombarët kanë gjetur sot në thellësinë e detit pranë vendit të ngjarjes copa metalike që i përkasin mjetit lundrues në të cilin ndodhej viktima, megjithatë nuk është arritur të saktësohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë.
Dyshimet lidhur me faktin që viktima ndodhej në një mjet tepër të vogël e ndoshta artizanal lundrues pranë Portit Detar dhe se shpërthimi ka ndodhur mbi sipërfaqjen e ujit, por edhe forca e saj, i kanë bërë ekspertët të dyshojnë se realisht ka pasur një shpërthim eksplozivi. Nuk dihet cili ka qenë objektivi, por ngjarja ka ndodhur pikërisht në orën 22.00 kur gjithë vëmendja ka qenë në ndeshjen Shqipëri – Spanjë.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se viktima është parë nga dy të huaj të cilët po lundronin me një gomone të vogël drejt jahtit të tyre të ankoruar në radë. Ata e kanë pyetur nëse kishte problem me dicka por ai i është përgjigjur “Jo”. Vetëm pak sekonda më pas është dëgjuar shpërthimi i cili është shoqëruar me zjarr dhe tym por dhe me zhurmë, që ka tronditur gjithë qytetin.
Edhe pse viktima ende nuk është identifikuar, burime të besueshme bëjnë me dije se ai është shtetas shqiptar dhe jo i huaj, siç u dyshua në fillim.
gijotina.com/
Burimi