Detaje nga vizita e Thaçit në Kosovë, telefonata dhe takime me familjarët

Detaje nga vizita e Thaçit në Kosovë, telefonata dhe takime me familjarët

Detaje të reja janë zbuluar nga vizita e dytë e ish-Presidentit Hashim Thaçi në Kosovë i cili fillimisht vizitoi varrin e të atit. Thaçi nuk do të qëndrojë më shumë se 24 orë, ndërsa aktualisht ndodhet në godinën e Eulex ku do të qëndrojë deri nesër pasdite e më pas do të niset drejt Hagës. Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk lejoi Thaçin të merrte pjesë në varrimin e të atit.
Kreu i Organizatës së Luftës, Hysni Gucati, i cili kishte humbur babain e tij gjatë kohës që kishte qenë në qendrën e paraburgimi në Hagë dhe ishte lejuar që të realizonte një vizitë në Kosovë, ka treguar detaje të kësaj vizite.
Gucati tregon si është qëndrimi brenda EULEX-it, si funksionojnë vizitat, ushqimi dhe deri kur mund të qëndrojë ish presidenti Hashim Thaçi nesër në Kosovë.
Ai ka treguar se ditën e dytë e kanë lejuar që të qëndrojë në Kosovë deri në orën 16:30, dhe se gjatë ditës i është lejuar që të takohet me motrat vëllezërit dhe fëmijët.
Duke folur për kushtet që janë në EULEX, Gucati ka thënë se edhe po të jetë si hotel me pesë yje, ai vend përsëri është një burg.
“Aty edhe me qenë hotel me pesë yje, emrin e ka burg. Dera është e hapur. Ata e njohin z. Thaçi dhe e dinë autoritetin e tij.
Janë pesë qeli brenda, derën do të ketë të hapur deri në 10 të mbrëmjes, ushqimin e ka brenda aty, një kuzhinë e vogël që është bashkë me sigurimin.
Nuk janë kushtet e rënda. Unë shpresoj që do ta ketë një takim shumë të mirë me familjen deri në orën 4, dhe në orën 6 pasdite udhëton për në Hagë, sepse ashtu e kanë “, ka thënë Gucati.
Gucati ka treguar se në EULEX lejohen takimet dorë më dorë me familjarët dhe se sot gjatë ditës mund të flasë edhe në telefon në prani të përkthyesit me ata familjarë të cilët Thaçi është pyetur paraprakisht t’i caktojë.
“Kufizime s’ka. Ka të drejtë të flasë dorë më dorë me familje. Ka të drejtë të flasë në telefon me anëtarët e familjes, kënd e ka të programuar z. Thaçi. Telefonin ia japin sigurimi i Hagës, por flet gjithmonë në prezencë të përkthyesit. Ushqimi vjen prej qytetit, të pyesin, çka dëshiron”, ka shtuar tutje Gucati.
“Besoj që z. Thaçi e ka dorëzuar listën më herët. Avokati mua më ka pyetur se kë dëshiron ta takosh. Unë kam kërkuar motrat, vëllezërit, bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Mi kanë ndarë në grupe nga 1 orë e gjysmë. Kë ka kërkuar z. Thaçi, besoj se do t’ia lejojnë, edhe pse janë disa masa. Por s’besoj që do t’ia ndalojnë ta takojë bashkëshorten, djalin apo vëllezërit e motrat, s’besoj se do t’ia ndalojnë”, ka përfunduar Gucati.
Burimi