Carlo Bollino: Onkologjiku një akuzë për të gjithë, por dhe detyrim për ndryshim!
Është një akt akuzë për mediat, për qeverinë, për opozitën dhe për të gjithë kategorinë e mjekëve, të infermierëve por edhe të atyre pacientëve që në pjesën më të madhe preferojnë të heshtin.Turpi i asaj që ndodh brenda mureve të spitalit onkologjik dhe që u zbulua nga prokuroria e Tiranës, është një akt akuzë për të gjithë.
Është një akt akuzë për mediat, që përhumben pas rreshtimeve në betejat politike duke harruar problemet reale të njerëzve. Ose ndoshta sepse ne gazetarët e gjejmë përherë një rrugë të privilegjuar për të marrë shërbimet për të cilat kemi nevojë dhe harrojmë se njerëzit e thjeshtë këtë rrugë nuk e kanë. Sot lexova letre e hapur që me 3 gusht 2023 kishte publikuar mësuesja dhe aktivistja Ina Kasimati, e prekur nga kanceri dhe e lënë pa kurimin e duhur në onkologjikun e tmerreve në QSUT. Ina Kasimati denonconte odisenë e saj në spitalin publik të Tiranës dhe betejën e saj të pamundur kundër cinizmit të një strukture indiferente ndaj problemeve të qytetarëve, deri në pikën që iu desh të ikte për t’u kuruar në Francë. Fatkeqësisht kur ishte tepër vonë për t’i shpëtuar jetën: U detyrua të bëjë një thirrje publike për të mbledhur parà për të paguar udhëtimin e kthimit, për të mundur të vdesë në shtëpinë e saj.
Ajo letër (që mund ta lexoni këtu) nuk pati një jehonë të madhe në media (veç pak përjashtimeve). Më vjen turp të konstatoj që ketë letër as në mediat e mia nuk e kemi publikuar. Shpresova se ndodhej në arkiv, por jo! Kur ne gazetarët shkojmë vetëm pas komunikatave të politikanëve dhe nuk dëgjojmë njerëzit, ndodh që edhe pa e ditur, të gjithë bëhemi bashkëfajtorë.Hetimi i prokurorisë është një akt akuzë për qeverinë, e cila nuk mund të vazhdojë të përdorë mbështetjen që i dha reformës në drejtësi duke kontribuuar në lindjen e SPAK me reforma ne Drejtesi, si një alibi për të zvogëluar përgjegjësitë. Fakti që është prokuroria ajo që nxorri në dritë këtë turp, nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë meritë e ekzekutivit, faji i të cilit, përkundrazi, është se nuk e denoncoi i pari. Letra e Ina Kasimatit (dhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit) është prova se të gjithë drejtuesit institucionalë ishin të informuar mbi atë që ndodhte në onkologjik, e megjithatë nuk bënë asgjë veç shpikjes së justifikimeve për të fshehur mungesën e shërbimeve. Dhe logjika sygjeron që të gjithë, duke filluar nga ministrat e Shëndetësisë që pasuan në vite, të jenë të informuar për atë që ndodhte dhe ndodh edhe sot në reparte të tjerë të shëndetit publik.
Nuk mjafton të bëhen muret e reja të spitaleve nëse mungojnë ilaçet për të shpëtuar jetën (përfshi kimioterapeutikët), ose aparatet për kirurgjinë e lartë nuk ekzistojnë apo nuk vihen në punë dhe të autorizohen mjekët e paguar nga Shteti të punojnë edhe për shëndetësinë private, të cilës Shteti tashmë i lejon të veprojë në një sistem monopoli.
Hetimi i prokurorisë është dhe një akt akuze për opozitën, që e mësuar të denoncojë skandale të shpikura ndaj kundërshtarëve të vet politikë me qëllimin e vetëm që ti trembë apo t’u marrë vendin, edhe ajo harron të hetojë skandalet e vërteta siç janë ato që prekin shëndetin e njerëzve, sepse edhe opozita, ashtu si dhe qeveria është viktimë konfliktesh interesi të paimagjinuara. Nëse ndonjëherë bën denoncime, askush nuk e beson sepse ajo pikë e vërtetë përfundon në një det gënjeshtrash. Kjo opozitë ka fajin se përpiqet të deligjitimojë edhe SPAK-un që deri tani është i vetmi antitrup që reziston në luftën kundër pjesës së sëmurë të institucioneve.
Burimi