“Butrinti rrezikon të dalë nga UNESCO prej ndërtimeve”/ Replikat Zhupa- Gonxhja në Kuvend

“Butrinti rrezikon të dalë nga UNESCO prej ndërtimeve”/ Replikat Zhupa- Gonxhja në Kuvend

Butrinti ka qenë pjesë e diskutimeve në interpelancën e thirrur nga deputetja Ina Zhupa me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Zhupa ka kërkuar nga ministri Gonxhja se si do të veprojë me Butrintin, i cili sipas saj, rrezikon të dalë nga lista e UNESCO-s për shkak të ndërtimeve që janë lejuar në të. Në të njëjtin mendim nuk ishte ministri, i cili tha se ata po bashkëpunojnë me UNESCO-n që të nxjerrin në pah jo vetëm si një qendër ekselence të pasuri kombëtare por edhe ta kthejnë në një motor ekonomik për rajonin.
“Pse qeveria injoron rekomandimet nga UNESCO? Çfarë leverdie ka shteti nga kjo? Butrinti e Ohri rrezikojnë të hiqen nga UNESCO për shkak të koncesioneve të dhëna. Pse nuk shfrytëzoni kapacitetet intelektuale e akademike por merrni të huaj e koncesionarë e njerëz pa eksperiencë? Zoti Gonxhe a e quani ju zbatim të rekomandimeve lejet për ndërtime që po bëhen në Butrint? UNESCO pagoi 30 mijë dollarë për Beratin e Gjirokastrën por ju nuk bëtë investimet dhe u thatë u ndërruar ministria. Kjo nuk është qasja që duhet të ketë qeveria dhe shteti shqiptar aq më pak kur bëhet fjalë për pasuri botërore? Pse nuk i paraqisni UNESCO çfarë parashikoni për ndërtimet në Butrint?”, tha Zhupa.
“Për disa gjëra që thatë nuk i shoh të vërtetuara nga informacione zyrtare. Ky është një raport kompleks i cili nuk mund të jetë bardh e zi dhe shpesh herë ka momente që ngjall diskutime dhe pikëpyetje. Duke iu referuar hartës ne i kemi dorëzuar para gati 2 muajsh të digjitalizuara dhe tashmë këto harta duhet ti njehsojmë me hartat e vitit 1999 që ata të bëjmë përputhjen e dy periudhave atë të sotme më të shkuarën. Butrinti duhet kthehet në një qendër ekselence të pasurisë kombëtare dhe zhvillimit në një motor ekonomik rajonal. Jemi duke përmbyllur një plan veprimi dhe është kompleks në vetvete dhe synojmë forcimin e rolit të institucioneve qendrore dhe vendore, rritjen e transparencës dhe gjithëpërfshirës në rolet vendimmarrëse. Kemi zhvilluar dëgjesa me të gjithë palët e interesuara. Kemi pasur diskutime me UNESCO-n për realizimin e të gjitha kërkesave të tyre”, tha ministri.
Gjithashtu ministri Gonxhja shtoi se është ngritur një grup i specializuar prej 4 personash që do të bëjë një shkëmbim më të shpejtë të informacionit mes disa ministrive dhe institucioneve për pasuritë kombëtare.
Burimi