Berisha: Kullat e korrupsionit dhe drogës kanë përpirë 4 miliardë euro

Berisha: Kullat e korrupsionit dhe drogës kanë përpirë 4 miliardë euro

Lideri i opozitës, Sali Berisha u shpreh sot se Edi Rama për vete i ka rritur me dhjetëra herë pasuritë e tij mirëpo shqiptarët kishin rrogat më të ulëta, dhe kanë rrogat më të ulëta përsëri.
Në protestën, Berisha u shpreh se sot diferenca me rrogat në rajon mbetet ajo që ishte para rritjes së rrogave, në një kohë kur 11 vite më parë, ne vrapuam dhe dolëm në krye të rajonit për rrogat.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore.Mirënjohjen më të thellë, më të pakufishme ndaj jush guximtarëve të pamposhtur, misionarëve të vërtetë të kauzës së madhe të çdo qytetari shqiptar.
Me qëndresën tuaj, me protestën tuaj, ju jeni burim frymëzimi për çdo shqiptar që vendos të luftojë për dinjitetin e tij.Për çdo shqiptar që vendos të luftojë për votën e lirë, për shpresën, besimin dhe të ardhmen në Shqipëri.Për interesin kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Miqtë e mi, sot i damkosuri apo më i damkosuri, kreu i narkoshtetit shqiptar rrahu gjoksin se ekonomia shqiptare gjatë këtyre 11 viteve është rritur dy herë.
Të dashur miq, ftoj çdo qytetar shqiptar të ndalet për një moment në këtë deklaratë dhe të pyesë veten sa herë janë rritur kursimet e tij, sa herë janë rritur pasuritë e tij, pronat e tij, të ardhurat e tij gjatë këtyre 11 viteve.Cila është e vërteta e kësaj rritje të dyfishtë të prodhimit të brendshëm?
Ju lutem, mbyllni sytë për një moment dhe kur t’i hapni do ju dalin përbindëshët e korrupsionit dhe drogës, kullat e Tiranës.O miq, pa më thoni pak, vetëm këto kulla që kanë përpirë 4 miliardë, dhe që Edi Rama i quan rritje të GDP-së, këto kanë dhjetërafishuar në mos qindfishuar pasuritë e oligarkëve.
Po këto kulla 3.2 miliardë i kanë nga nëntoka, jo nga bankat.Pra, këto kulla i quan në stratosferë çmimet e apartamenteve.Atëherë, më thoni rritje për qytetarin është kjo?
Kjo rritje është ndëshkim për qytetarin.
Po, po, Edi Rama për vete i ka rritur me dhjetëra herë pasuritë e tij.Po, po, Lubi Balluku nuk ia njeh kufirin pasurive të saj.Erion Veliaj, bashkë me soj e sorollop milionerë.
Po kush nga ju o qytetarë përfitoi nga dyfishimi i prodhimit të brendshëm të vendit?Po çfarë përfituat ju nga kjo rritje?
Një ndëshkim! Po cili është ky ndëshkim? Rritja e tmerrshme e çmimeve të ushqimeve dhe të çmimeve në tërësi.Kjo rritje me narko-eurot, kjo rritje solli çmime në ushqime dhe të tjera 10 gjer në 250 përqind më të larta se çmimet mesatare në BE.
Atëherë, a nuk është ndëshkim për qytetarin kjo rritje?Është parajsë për kriminelët e qeverisë, për oligarkët e saj.
Është ndëshkim dhe varfërim për mbarë qytetarët shqiptarë sepse çmimet kaluan në stratosferë.Të dashur miq, këto ditë Edi Rama rrah gjoksin se arsimtari merr 950 euro, se rroga u bë 900 euro.Prisni! Ka një problem tjetër të madh.Aty ku ishim, mbetëm.
Kishim rrogat më të ulëta, kemi rrogat më të ulëta përsëri.Po pse? Se 11 vite të tjerët ecën me vrap në një kohë kur ne zbritëm shkallët poshtë e më poshtë.
Pra, të dashur miq, sot diferenca me rrogat në rajon mbetet ajo që ishte para rritjes së rrogave, në një kohë kur 11 vite më parë, ne vrapuam dhe dolëm në krye të rajonit për rrogat.
Ajo ishte rritje. Edhe atëherë ishte dyfishuar GDP, por u dyfishua për qytetarët, jo për oligarkët, jo për qeveritarët.
Të dashur miq, është cinike t’u tregosh shqiptarëve GDP-së, në një kohë kur ajo plaçkitet me rrënjë nga qeveritarët, zyrtarët dhe oligarkët.
A e dini ju se jo në vitin 2013, por në vitin 2018, një pension ishte 31 përqind e rrogës minimale.Sot, një pension është 26 përqind e rrogës minimale.
Po, po, rritet pasuria e Edi Ramës, Lubi Ballukut, Erion Veliajt, ministrave të tjerë, por varfërohen, mjerohen shqiptarët.Vërtet u rritën rrogat, po sa janë rritur çmimet e ushqimeve?
Çmimet e ushqimeve në raport me rritjen e rrogave janë rritur dy herë më shumë.Rriten vërtet, u dyfishua nga droga ekonomia.
Më thoni mua çfarë investimi të madh ka pasur këto 11 vite, përveç atyre të trashëguara nga qeveria e mëparshme. Investimet e shekullit, TAP-it dhe Devollit dhe pastaj HEC-it të Fanit, etj.
Nuk ka më investitorë, se tani ka oligarkë që ju vjedhin ju në mënyrë të pamëshirë dhe ky shkon e kapardiset si kaposh me vjedhjet e tij.
Sa u pasqyrua ky dyfishim i GDP-së në arsim? A nuk ra arsimi në pikiatë në rënien më poshtëruese që një vend mund të ketë pësuar me 68 pikë në 8 vite në matematikë?
Po çfarë ndodhi? Çfarë solli ky dyfishim o miqtë e mi në kujdesin shëndetësor? A nuk solli ky dyfishim mungesat më të mëdha se kurrë në histori të ilaçeve bazë jetike për të sëmurët?
A nuk solli ky dyfishim lënien jashtë përdorimit të aparaturave jetike për të sëmurët?A nuk solli ky dyfishim shpartallimin e kujdesit shëndetësor?A nuk është ky dyfishim pra një ndëshkim i vërtetë për qytetarët?
Ndaj dhe ai që rrah gjoksin, ai mbulon vjedhjet e tij, plaçkitjet, hajnitë.A e dini se nga vjen ky dyfishim përveçse nga droga?Ky dyfishim vjen sepse rruga në Shqipëri për kilometër në fushë e ndërtuar nga Lubi Balluku, kushton 10 herë më shumë se në Kroacinë anëtare të BE.Po, po, këto janë shifrat e flluskës së GDP-së së Edi Ramës.Kurse atyre u mbeten plaçkitjet e dhjetëra milionëve, kurse qytetarëve i mbetet varfëria dhe largimi nga Shqipëria.Kjo punë merr fund!Është radha jonë.Do ecim të sigurt drejt qeverisë teknike, drejt fitores.Garantoj çdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi se rrogat në Shqipëri përsëri do bëhen më të lartat në rajon.Garantoj çdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi se në Shqipëri nuk do numërojë më njeri kafshatën. Se nuk do ketë TVSH për ushqimet.Miqtë e mi, të ndalemi pak për një moment tek ky antishqiptar, i cili erdhi në pushtet dhe mori flamurin e ndarjes së Kosovë.Por nëse je armik i Kosovës, të larë me gjakun e qindra mijëra shqiptarëve gjatë një pushtimi të fundit serb, ti je armik i Shqipërisë dhe njerëzimit.A nuk erdhi ky me flamurin e ndryshimit të kufijve, siç i thoshte Vuçici, dhe ndarjes së Kosovës.Ndarjes së Kosovës për të përjetësuar preambulën e Kushtetutës serbe.Ky i pabesë, ky tradhtar futi në një lojë njerëz që kishin sakrifikuar çdo gjë për Kosovën dhe në fund i çoi në Hagë.A e keni më ndonjëherë të thotë: Liria ka emër?Shkoi në asamblenë e Këshillit të Europës dhe u futi thikat pas shpine luftëtarëve të lirisë.Ky armik i Kosovës, pasi dështoi me skenarin e ndarjes, të firmosur nga fondacioni Soros në Beograd dhe para tyre nga Millosheviçi, si argat i Vuçiçit vrapoi me flamurin ruso-serb të Ballkanit të Hapur.A nuk është ky tradhtar, ky antishqiptar, që kërkoi që veriu i Kosovës të vendoset nën protektoratin e KFOR-it?A nuk është ky tradhtar i shpifur, që pa i kërkuar njeri, vetëm për të akuzuar qeverinë e Kosovës, bëri projektin që ia dha Vuçiçi, projekti që i dorëzoi Vuçiçin për asociacionin e komunave serbe në Kosovës?A nuk është ky tradhtar i kombit, që nga Tirana lobonte me presidentin francez dhe burrështetas të tjerë që të mos hiqeshin vizat për qytetarët e Kosovës?Ky antishqiptar, së fundmi, futi thikën mbrapa, luajti letrën e ndasive fetare të kombit shqiptar, por i futi thikën vetes së vet dhe bëri suicid.Së shpejti do përfundojë në koshin e plehrave të historisë.Në banesën e tradhtarëve të kombit.Edhe njëherë, rrofshi ju, rroftë Shqipëria.Fitore, fitore, fitore!
gijotina.com/
Burimi