Avokati i familjes së Martin Canit: Organet shtetërore s’kanë transparencë, duam pamjet filmike
Redi Ramaj, avokati i familjes së 14-vjeçarit të vrarë Martin Canit, pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, ka theksuar se nga ana e organeve shtetërore nuk ka transparencë të plotë për ngjarjen tragjike.
Ramaj tha për Neës24, se familjarët e Martinit kërkojnë drejtësi dhe të shohin pamjet filmike, për të cilat Policia tha se i disponon.
“Familjarët e Martin Canit kërkojnë drejtësi. Çështja është se nga ana e organeve shtetërore nuk kemi pasur transparencë të plotë. Ngjarja duhej të ishte zbardhur. I vetmi institucioni i pavarur që ka bërë punën ka qenë media. Shpresoj se drejtësia dhe policia të bëjë punën e saj.
Nuk ka transparencë dhe kontradiktë mes deklaratës së parë dhe asaj të djeshme. Vetë deklarimet e të dëmtuarit në këtë rast, Luisit, i cili ka deklaruar se është goditur edhe nga një person tjetër, është gjë e rëndë. Duhej të ishte zbardhur rasti.
Familjarët kërkojnë të njihen me pamjet filmike, për të gjetur qetësinë që meritojnë. Është kërkuar dhe babai i viktimës, do të thirret si dëshmitar. Duhet të bëhet sa më shpejt. Prokuroria duhet të orientojë mekanizmin hetimor dhe duhet bërë në një kohë rekord për shkak të sensibilitetit të ngjarjes”, tha avokati.
Burimi