Atentati ndaj Trump, reagon Begaj dhe Rama: Një tragjedi për botën demokratike
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me atentatin ndaj ish presidentit Donald Trump, në Pensilvani.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj tha se dënon sulmin ndaj Trump.
Kreu i Shtetit u shpreh se dhuna politika nuk ka vend në demokraci.
“I trishtuar për atentatin ndaj Presidentit Donald Trump. I uroj Presidentit Trump një shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e një jete të pafajshme Gjithashtu dënojmë sulmin dhe të gjitha format e dhunës politike, të cilat nuk kanë vend në demokraci.”, shkruan Begaj në X.
Atentatin me armë ku mbeti i plagosur Donald Trump gjatë një tubimi elektoral e ka dënuar edhe kryeministri Edi Rama.
Me anë të një postimi në X, kreu i qeverisë shqiptare thotë se kjo është një ngjarje e tmerrshme dhe tragjedi për botën demokratike.
“Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, shkruan Rama.
Burimi