Apeli i GJKKO nuk ndryshon masën e arrestit për Berishën

Apeli i GJKKO nuk ndryshon masën e arrestit për Berishën

Apeli i GJKKO nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë arrest shtëpie për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Berisha dhe Malltezi kishin kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë arrest shtëpie në një masë më të butë sigurie.
Në seancën e sotme janë paraqitur edhe informacion lidhur me hetimet për dosjen “Partizani” për të me të cilën Berisha dhe Malltezi 2 ditë më parë u morën të pandehur, i pari për akuzën e korrupsionit pasiv dhe i dyti për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Në deklaratën e tij para SPAK, 2 ditë më parë ku u njoh zyrtarisht me akuzën për korrupsion pasiv Berisha akuzoi SPAK se po përdoret politikisht nga Edi Rama dhe se nuk ka asnjë provë apo fakt kundër tij lidhur me çështjen për të cilën akuzohet.
Gjokutaj: Berisha e ka vërtetuar se nuk prish provat
Pas seancës, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, tha se SPAK po nxiton të dërgojë në gjyq çështjen ndaj ish-kryeministrit pasi ka frikë se mbaron afati i paraburgimit.
“Ne jemi në pritje, sepse u bë komunikimi i akuzës por nuk kemi bërë shpjegime. Pa u njohur me aktet nuk mund të japim shpjegime”, tha Gjokutaj për mediat.
I pyetur nëse ka llogaritur kur përfundon afati i masës së sigurisë, Gjokutaj tha: “Matematika, kur mbarojnë, nuk është sekret hetimor, por diskrecion i mbrojtjes. Afatet e paraburgimit me afatet e hetimit janë dy gjëra të ndryshme. Këta nxitojnë sepse i detyron masa e sigurimit, e kufizimit të lirisë, se kanë frikë se u skadon, shuhet masa për shkak të kalimit të afatit tërësor. Dhe nxitojnë. Në rastin e Berishës këta besoj do të nxitojnë. Në raste të tjera, si rasti i Dakos, këta nuk nxituan dhe u shkau nga dora”.
Gjokutaj shprehu rezerva edhe për dosjen e SPAK. “Nuk kam parë dosje penale që një person të jetë nën hetim, nën akuzë dhe të mos përmendet me emër. Në funksion të kësaj akuze ka vetëm mbledhje letrash, kontratash. Vepra penale korrupsion kërkon prova. Ta kthesh interpretimin tënd për ta çuar në gjyq, në provë, kjo nuk ka bërë vaki”, tha Gjokutaj.
Avokati i Berishës gjithashtu tha se kryetari i Partisë Demokratike nuk ka rrezik të prishë provat. “Provën e provës që ai nuk prish provat janë 3 muajt që ai ka qenë në gjendje të lirë pas tetorit. Asnjë dëshmitar nuk është intimiduar, asnjë zyrë nuk është marrë në telefon dhe asnjë dokument nuk është penguar për t’u administruar”, tha ai.
Burimi