23 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, shtatë prej tyre ende aktive
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile njofton se në 24 orët e fundit në vend janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 16 janë shuar dhe 7 janë akoma aktive.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 336 forca operacionale dhe 27 automjete. Në mbështetje të forcave në terren u aktivizuan 119 trupa ushtarake me 3 automjete zjarrfikëse dhe helikopteri “Cougar” i FA.
Zjarri është mundur të neutralizohet në disa fshatra në bashkitë: Durrës, Kavajë Lushnje, Fier, Berat, Vlorë, Himarë Delvinë, Selenicë, Has dhe Malësi e Madhe.
Aktualisht po punohet në:
Qarkun e Kukësit: në fshatin Surroj, njësia administrative Surroj, bashkia Kukës. Zjarri vazhdon aktiv prej ditësh në një sipërfaqe pyjore. Në terren u angazhuan 17 forca nga strukturat vendore të bashkisë dhe 17 efektivë nga Forcat e Armatosura, të cilët kanë vënë plotësisht nën kontroll vatrën e zjarrit. Aktualisht punonjësit e ADZM po e monitorojnë deri në shuarjen përfundimtare; në fshatin Tetaj, njësia administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë, u izolua zjarri nga forcat e strukturave vendore të bashkisë Tropojë. Aktualisht situata është nën monitorim.
Qarkun e Shkodrës: në fshatin Mnelë e Vogël, njësia administrative Vig-Mnelë, bashkia Vau-Dejës, është riaktivizuar vatra e zjarrit. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha në një zonë pyjore. Në vendngjarje janë angazhuar 4 automjete me 30 forca nga MZSH bashkia Vau-Dejës, Pukë, Malësi e Madhe, 2 mjete zjarrfikëse, 50 forca vullnetare, 5 forca policia bashkiake dhe 24 forca nga sherbimi pyjor.
Qarkun e Lezhës: në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një zonë malore me pisha dhe të pa aksesueshme nga mjetet zjarrfikëse. Zjarri ka ardhur nga shtrirja e vatrës nga fshati Arrën, bashkia Kukës po zbret në anën e fshatit Shëngjin, njësia administrative Fan me intensitet te ulet, në zonë shkëmbore pa bimësi. Ndërhyrja ka qenë e pamundur për shkak të terrenit; në malin Kreshtë në afërsi të fshatit Krajnë, njësia administrative Blinisht, bashkia Lezhë, po afrohet zjarri i ardhur nga zona Vig – Mnelë. Nga strukturat vendore janë marrë masa për parandalimin e situatave në zonat e banuara; në fshatin Kallmet, njësia administrative Kallmet, bashkia Lezhë, rreth orës 21:10 të datës 27 ka rënë zjarr në një terren të vështirë në afërsi të kishës së Shën Eufemisë. Në terren shkuan forcat nga bashkia Lezhë, por nuk kanë arritur ta vendosin nën kontroll vatrën e zjarrit. Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, era ka ndërruar drejtim dhe zjarri që ka marrë përmasa të mëdha rrezikon seriozisht djegien e banesave. Me forca dhe mjetet e disponueshme në terren, situata është e papërballueshme dhe u kërkua mbështetje urgjente me mjete zjarrfikëse dhe ndërhyrje nga ajri. Që në orët e para të mëngjesit ndihme të autoriteteve po punojne 50 efektive te FA me 3 mjete zjarrfikese dhe Helikopteri Cougar i Faj.
Qarkun e Dibrës: në fshatin Pejkë, njësia administrative Melan, bashkia Dibër. Vatër zjarri e zhvilluar në sipërfaqe me dushqe e lajthi, por që ka shtrirje territori të ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta. Në terren janë angazhuar 8 forca me 2 mjete nga MZSH bashkia Dibër, 5 forca të njësisë administrative të cilat po vendosin zjarrin nën kontroll.
Burimi