Trafikonin armë për në Britani, tre të arrestuar 3 në kërkim ndërkombëtar
Tre persona të akuzuar si të përfshirë në trafikun e armëve u arrestuan të enjten pas urdhërave të arrstit lëshuar nga Gjykata e Posaçme, ndërsa tre bashkëpunëtorë të tyre që nuk u gjetën në Shqipëri u shpallën në kërkim ndërkombëtar.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, njoftoi se hetimet kishin filluar në prill 2023, kur brenda mobiljeve që po transportoheshin me një furgon me targa të Kosovës u gjetën 4 pistoleta dhe një sasi fishekësh.
Prokuroria fillimisht ndaloi shoferin e mjetit dhe një prej bashkëpunëtorëve, por hetimet që zgjatën më shumë se një vit zbuluan se shoferi nuk kishte dijeni për ato që po transportonte, ndërsa 6 persona të tjerë u identifikuan si të përfshirë në këtë trafik.
“Kryerja nga organizatorët e këtij trafiku e veprimeve të fshehjes së sendeve të sekuestruara në brendësi të objekteve punim prej druri, për të mos u kapur nga kontroll i mundshëm i strukturave të policisë dhe doganës, përdorimi i gjeneraliteteve të rreme, si të dorëzuesve të porosive tek kompania e transportit, ashtu dhe të pritësve të tyre në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndërmarrja e veprimeve për dorëzimin e sigurt në destinacion, krijuan dyshimin e arsyeshëm se ndodhemi para kryerjes së veprës penale në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Prokuroria thotë se organizatorët e trafikut gjetën armët, fshinë numrat e identifikimit dhe siguruan mjedis për të bërë fshehjen e tyre në mobilje për të mundësuar transportin në Britani.
Tre person të identifikuar me inicialet “A.H., R.A., dhe B.T.” u arrestuan të enjten. Ndërkohë tre të tjerë janë jashtë vendit dhe sipas SPAK “po bashkëpunohet me autoritetet e huaja për ekzekutimin e masave të sigurimit” ndaj tyre.
Hetimet ndërkohë zbuluan një bazë të armëve. Veç sekuestrimit të 8 pistoletave të destinuara për trafik, që u bllokuan gjatë kalimit kufitar, nga kontrollet e zhvilluar të enjten u kapën edhe 24 pistoleta, një kallashnikov, pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit.
Hetimet për këtë rast u kryen në bashkëpunim me autoritetet britanike të drejtësisë.
i.b./dita
Burimi