Shoku i Martinit kërkoi 80 mijë euro për trajtim mjekësor, reagon Trauma: S’ka asnjë komplikacion që…
Spitali i Traumës ka reaguar lidhur me aludimet se ka pasur mungesë shërbimi ndaj 14 vjeçarit të plagosur tek shkolla ‘Fan Noli’, shoku i Martin Canit, i cili mbeti i vrarë nga goditjet me thikë.
Spitali i Traumës thotë se adoleshenti ka marrë mbështetje psikologjike nga psikologët përveç kujdesit mjekësor.
Fillimisht 14-vjeçari ka filluar trajtimin fizioterapik, ndërsa tani gjendja është e mirë.
I ati i të plagosurit hapi një llogari në GoFound Me ku kërkonte 80 mijë euro për trajtimin e djalit të tij.
Por Spitali thotë se gjithçka ka shkuar mirë për adoleshentin.
Reagimi i spitalit:
‘Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:
Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.
Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.
Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive.
Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.
Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.
Luisi tregoi se është goditur nga dy persona 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri.
“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj për t’u shëruar. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri.
Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund të shihni historinë time në Facebook, Instagram, lajmet se çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër“, thuhet në mesazh.
j.l./ dita
Burimi