Prekemi edhe ne shqiptarët: Nga 10 nëntori, skemë e re kontrolli në kufijtë e Bashkimit Europian

Prekemi edhe ne shqiptarët: Nga 10 nëntori, skemë e re kontrolli në kufijtë e Bashkimit Europian

Nga nëntori, një pjesë e udhëtarëve do të përballen me kontrolle të reja në kufirin e BE-së.
Shumë janë të shqetësuar se skema e re EES mund të rrisë vonesat në pikat e kontrollit kufitar.
Pritet që sistemi i ri i kontrollit EES të vihet në funksion këtë vjeshtë dhe udhëtarët nga vende jo anëtare të BE-së që hyjnë në zonën Shengen do të duhet të kalojnë nëpër skanerë të rinj në kufijtë e BE-së.
Sistemi post-Brexit i hyrje-daljeve në BE (EES) do të fillojë të implementohet më 10 nëntor. Kjo është konfirmuar edhe nga komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.
“Më në fund, ky moment erdhi. Mund të ketë pasur raste që keni besuar se nuk do të ndodhte kurrë, ” tha Johansson gjatë një vizite në Talin të Estonisë, që është edhe agjencia përgjegjëse për infrastrukturën e Tekonologjisë së Informacionit që do të përdoret për sistemin EES.
Kur të hyjë në funksion në vjeshtë, udhëtarët jashtë BE-së që hyjnë në zonën Shengen do të përballen me kontrolle të reja kufitare.
“Por ja që po ndodh. Gjithçka ka marrë formë. Jemi në fazën përfundimtare të testimeve. Po punohet me vrull. Transportuesit, operatorët, stacionet e trenit, aeroportet, të gjithë po bëhen gati për ditën e madhe,” shtoi Johansson.
Fillimisht, EES ishte planifikuar të niste funksionin në vitin 2022, por janë hasur pengesa të shumta për shkak të problemeve me IT-në dhe vonesave në instalimin e barrierave të automatizuara që në të gjithë kufijtë ndërkombëtarë tokësorë, detarë dhe ajrorë në zonën Shengen.
Cilët janë udhëtarët që do të duhet të përdorin EES?
Sistemi i hyrje-daljes do të jetë një sistem i automatizuar regjistrimi për udhëtarët që vijnë nga vende jo pjesë e BE-së, për të cilët nuk kërkohet vizë për të hyrë në BE.
Këtyre udhëtarëve do iu duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e udhëtimit në një sportel vetë-shërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Kjo procedurë nuk kërkohet të zbatohet nga shtetasit, rezidentët e ligjshëm të BE-së ose ata me viza për qëndrim afatgjatë.
Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimi i fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve do të merren çdo tre vjet dhe janë të vlefshme për të gjitha udhëtimet brenda kësaj periudhe.
Procedura do të zbatohet kur hyhet në të gjitha vendet anëtare të BE-së, përveç Qipros dhe Irlandës, si dhe katër vendeve joanëtare të BE-së në Zonën Shengen: Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës.
EES po implementohet si një mënyrë për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të identifikuar individët që tejkalojnë kohën e tyre të lejuar në zonën Shengen, prej 90 ditësh përgjatë një periudhe 180 ditore).
“Me EES do të dimë saktësisht se kush hyn në zonën Shengen me një pasaportë të huaj,” tha Johansson. “Do ta dimë nëse dikush qëndron më gjatë dhe, kështu, do të luftojmë migrimin e parregullt. Falë EES me identifikimin biometrik, fotografimin dhe gjurmëve të gishtërinjve, kriminelët, terroristët apo spiunët rusë do ta kenë më të vështirë të përdorin pasaporta false.”
Por a do të shkaktojë EES vonesa në udhëtim?
Si Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe të tjera vende janë të shqetësuara se EES do të rrisë vonesat në pikat e kontrollit kufitar.
Sipas një raporti të Këshillit Europian të publikuar nga Organizata JoFitimprurëse Statewatch, shumë vende kanë ngritur shqetësime mbi vonesat e zbatimit të EES. Vitin e kaluar, ata u shprehën se koha që iu mbetej në dispozicion për testimin e sistemit përpara se ai të fillonte të implementohej ishte shumë e pakët.
Autoritetet franceze do të kryejnë kontrolle kufitare me sistemin EES në Portin e Doverit të Mbretërisë së Bashkuar, Eurostar dhe Eurotunnel. Për momentin, ata po bashkëpunojnë me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për të minimizuar ndikimin e sistemit në flukset në hyrje-daljet kufitare dhe në trafik, por shprehen të shqetësuar për kohën të pritjes.
Agjencitë qeveritare dhe përfaqësuesit e industrisë së turizmit kanë deklaruar se EES ka të ngjarë të shkaktojë radhë të gjata për transportin detar me tragete që lundrojnë nga Dover në Calais.
Guy Opperman, nga Departamenti i Transportit të Mbretërisë së Bashkuar, është shprehur se skema do të ketë një “një fillim të butë gjashtëmujore” për ta bërë procesin më të thjeshtë.
“Nëse arrihet në situatën ku radhët ose vonesat shtohen në një masë të caktuar, atëherë dispozitat e masave paraprake të fleksibilitetit mundësojnë kalim me liri të shtuar të automjeteve, autobusëve dhe kamionëve” tha ai.
Vendet e tjera vijojnë punën për planifikimin e zbatimit të EES. Komisioni Europian ka sugjeruar që sistemi mund të ketë nevojë të implementohet në mënyrë graduale dhe me fleksibilitet për të reduktuar pritjet e gjata në kufij.
Ç’u bë me ETIAS?
Rreth gjashtë muaj pasi EES të vihet në funksion, do të bëhet edhe prezantimi i Sistemit Europian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).
Ndryshe nga EES që është një sistem monitorimi i kalimeve kufitare nga shtetas të vendeve të treat, ETIAS është një skemë e re që detyron udhëtarët jo-shtetas të BE-së dhe që nuk kanë nevojë për një vizë për të hyrë në BE, të marrin autorizimin e udhëtimit për të hyrë në bllokun europian. Pajisja me këtë skedar do të jetë e detyrueshme për këdo që dëshiron të vizitojë Zonën Shengen për një afat të shkurtër.
ETIAS ishte planifikuar të vihej në funksionon në nëntor të vitit 2023. Nga ana tjetër, Komisioni Europian ka deklaruar se ETIAS do të hyjë në fuqi në vitin 2025.
Edhe pse një datë e saktë nuk është dhënë, BE-ja ka lënë të kuptohet se do të fillojë të zbatohet 5-6 muaj pas EES. Pritet që për një periudhë të caktuar ETIAS të implementohet gradualisht krahas Sistemit të Hyrje-Daljes EES.
Udhëtarët do të mund të aplikojnë për ETIAS online, përpara udhëtimit të tyre dhe ky shërbim ka një kosto prej 7 €. Pasi të miratohet, autorizimi elektronik i udhëtimit do të lidhet në mënyrë elektronike me pasaportën e tyre dhe do të ketë një afat tre vjeçar përdorimi.
 
Burimi