Portali i Belind Këlliçit sulmon mjekun Ilir Alimehmeti: “Nuk vjen më në protestë, vetëm Këlliçi po e mban gjallë

Portali i Belind Këlliçit sulmon mjekun Ilir Alimehmeti: “Nuk vjen më në protestë, vetëm Këlliçi po e mban gjallë

Portali që mbështet në çdo hap Belind Këlliçin duket se e ka gjetur “shkaktarin” pse protesta e PD para Bashkise se Tiranes po tkurret çdo dite. CNA ka sulmuar sot ish-rivalin e Këlliçit në primaret brenda partisë, mjekun Ilir Alimehmeti, i cili u tërhoq nga gara duke arritur dakordësinë se nëse Kelliçi behej kryebashkiak, ai do të merrte postin e nënkryetarit.
City News Albania ka publikuar ditën e sotme një artikull ku sulmon Alimehmetin, duke theksuar se prej më shumë se 10 protestash të zhvilluara para Bashkisë së Tiranës, ky i fundit nuk ka marrë pjesë.
“Nga një vëzhgim i thjeshtë i bërë nga CNA na rezulton se Ilir Alimehmeti prej 10 apo më shumë protestash nuk duket. Ndoshta afërsia me Nikollë Lesin ka bërë që ta dojë ndopak lalin, njeriu i cili donte të kandidonte për Bashkinë e Tiranës, doktori nuk është në protestë. Si mundet?”, shkruhet në artikull.
Më tej, theksohet se zgjedhjet nuk mund të fitohen me këta njerëz që nuk gjejnë 30 minuta në javë për të protestuar para Bashkisë së Tiranës. “A mund të fitohen zgjedhjet me këta njerëz që nuk gjejnë 30 minuta kohë apo 1 orë një herë në javë të protestojnë te Bashkia e Tiranës? Përtej atyre që nuk duan të protestojnë apo të jenë pjesë poshtë ballkonit, po as në kauzë politike dhe protestë qytetare? Mos vallë presin të vijnë nga Shkodra, nga Korça, nga Vlora, nga Kukësi?”, shkruan CNA.
Portali CNA kujdeset të lartësojë figurën e Këlliçit, duke shkruar se ai mban ndezur protestën dhe kauzën kundër korrupsionit dhe hajdutërisë, ndërkohë që pjesa tjetër sipas tij pretendojnë të kenë ofiqe në pushtet pa shkuar asnjëherë në protestë.
“A mundet dot Belind Këlliçi, 5 deputetë dhe një pjesë strukture të mbajnë ndezur një protestë dhe një kauzë korrupsioni, hajdutërie, ndërkohë që pjesa tjetër pretendojnë të vijnë në pushtet, fillojnë zgjedhjet, të kenë dhe ofiqe, por në protestë nuk dalin se nuk kanë kohë?”, thuhet në artikullin e CNA.
Burimi