Pas Gjykatës Kushtetuese, SPAK nuk pranon të marrë pjesë në komisionin Anti-Korrupsion

Pas Gjykatës Kushtetuese, SPAK nuk pranon të marrë pjesë në komisionin Anti-Korrupsion

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar Anti-Korrupsion të drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj. SPAK në përgjigjen pas interesimit të mediave ka theksuar se prokurorët unanimisht kanë vendosur që nuk është e nevojshme pjesëmarrja në nivel ekspertësh.
“Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar ‘Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian’ (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë, duke u trajtuar në mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024. Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Në mënyrë unanime, të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision”, thotë SPAK.
Në Komisionin, që drejtohet nga deputeti Fatmir Xhafaj, nuk ka marrë pjesë asnjë deputet i opozitës. Xhafaj, pas rekomandimeve të ambasadës amerikane, në kërkesën e tij drejtuar institucioneve që ushtrojnë funksione në fusha me risk për korrupsion të përcaktojnë përfaqësuesit e tyre që do të veprojnë pranë nëngrupeve të komisionit. Ditën e djeshme dhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ftesën e Kuvendit për tu bërë pjesë e Komisionit Anti-Korrupsion.
 
j.l./ dita
Burimi